Shpresën dhe ëndrrat, askush s
Viti që po lemë pas, ka qenë një vit i vështirë për të gjithë. Kemi qenë dëshmitarë të krizës më të madhe energjetike në vend, e cila na e ka kthyer errësirën në normalitet. Ky që po lemë pas, ka qenë një vit i vështirë për xhepat e të gjithë shqiptarëve, që kanë parë dita-ditës të rriten çmimet në mënyrë të frikshme, që kanë konstatuar ditë pas dite se si zbrazeshin kursimet e tyre modeste. Ka qenë viti me një verë të thatë jo vetëm jashtë shtëpive tona, por edhe për rubinetet e mbetur pa pikë uji për muaj të tërë.
Ka qenë një vit tragjik për minatorët e Bulqizës. Një vit shumë i vështirë për peshkatarët e të gjitha porteve, për prindërit e gjyshërit tanë pensionistë, për invalidët e punës, për ish-ushtarakët. Ka qenë një vit plot strese për nxënësit e shkollave të mesme, për studentët, për mësuesit e pedagogët, për pjesëtarët e Akademisë së Shkencave, për nëpunësit e administratës civile. Ka qenë një vit shumë i mbrapshtë për biznesmenët dhe për ekonominë shqiptare në tërësi.
Ne të gjithë jemi dëshmitarë dhe bashkëvuajtës të një tranzicioni që nuk po mbaron. Jemi ende në pritje që të realizohen reformat që do të duhej të na kishin përmirësuar jetën. Por në këmbim të tyre, edhe këtë vit morëm si shpërblim llafe, demagogji, sharje, akuza, gënjeshtra, mashtrime, fyerje, diskriminim dhe përçmim nga e gjithë klasa politike në vend.
Këtë vit festuam 95-vjetorin e Pavarësisë me frikën se për pak vjet do të mbushim një shekull nga krijimi i shtetit tonë e sërish do të jemi më të varfrit në rajon.
Por ne besojmë se të gjithë së bashku mund ta bëjmë Vitin e Ri, më të mirë. Duke kërkuar me forcë të drejtat tona, duke marrë pjesë aktivisht në procesin e vendimmarrjes, mund të shtojmë shpresën për më të rinjtë, për fëmijët e për ata që nuk duhet të kalojnë një tjetër vit në pesimizëm, në varfëri, në errësirë të plotë e në ankth për të ardhmen.
Ky ishte edhe një vit shprese për ditë më të mira. Një vit, mbi errësirën e të cilit mund ende të shpresojmë për kohë të ndritshme. Shpresën dhe ëndrrat, që askush s’mund të na i marrë! Ky vit duhet të na japë të gjitha arsyet dhe forcën për të luftuar për një Demokraci që e meritojmë dhe na përket të gjithëve. Një Demokraci, që nuk është tjetër veç më shumë të drejta, më shumë ndriçim, ujë, punësim dhe mirëqenie ekonomike. Më shumë dinjitet për mbarë shqiptarët. Mbi gërmadhat e dështimeve qeverisëse të 2007-ës ne kemi shansin dhe detyrën të ngremë frymën e aktivizimit të vërtetë për vitin që vjen, për të evokuar as më shumë e as më pak, por atë çka na përket të gjithëve. Le të jetë ky ndërrim vitesh një festë. Jo për një betejë të fituar, as për një luftë të re. Le të jetë një festë, për një përballje të pandalshme. Në këtë ndërrim vitesh, le të festojmë Demokracinë.
Përmes urimit për një Vit të begatë për të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë Shqipërisë, “MJAFT!” përfiton nga rasti edhe për t’ju ftuar të komunikoni me ne, të ndani me ne idetë tuaja, të bisedojmë për mënyrën se si bashkërisht mund të bëjmë që zëri ynë i përbashkët dhe nevojat e të gjithë qytetarëve, të jenë në qendër dhe jo në periferi të reformave të mirëpritura. Çdo sugjerim i juaji që mund të kontribuojë edhe në përmirësimin e punës dhe aktivitetit tonë, do të jetë i mirëpritur. Ju urojmë nga zemra, Gëzuar 2008-ën!
*Autori është Drejtor i Komunikimit i Lëvizjes “MJAFT!”