E Diel, 1 Nëntor 2026

Monumente, albume fotografike, dekorata e koncerte. Berisha çel vitin e festimeve për 100 vjetorin

Share

Berisha me logon e festimeve

Kryeministri thotë se nëse Kosova nuk do ishte e pavarur, nuk do kishte festime. Shpallet logoja fituese e festimeve, e punuar nga një artist kosovar. Berisha kërkon festime në çdo vend ku ka shqiptar

Kryeministri Sali Berisha ka mbledhur komitetin e përgatitjeve për festimet e 100 vjetorit të pavarësisë. Berisha ka lajmëruar nisjen e konkursit për monumentin e pavarësisë. Meqë nuk u ofron dot shqiptarëve as parlament dhe as stadium të ri, Berisha do u japë atyre shumë festime. Konkurse, albume fotografike, dekorata e koncerte.

Në Tiranë pritet të ketë një monument për 100 vjetorin e pavarësisë, por edhe shtatore të Ahmet Zogut dhe Ismail Qemalit. Gjithkush do bëjë diçka. Për personalitetet që kanë ndihmuar Shqipërinë do ketë dekorata. Edhe për këto të fundit është hapur një konkurs.

Ndërkohë, Ministri i Turizmit, Kulturës, Aldo Bumçi, shpalli logon fituese. Midis 24 artistëve, komisioni ka arritur të përzgjedhë punimin më të mirë, atë të artistit kosovar, Zeni Ballazhi. Punimi fitues stilizon shqiponjën në formën e një flake jubilare dhe i përngjan një trofeu. Ai është një simbol festiv dhe nuk sfidon simbolet zyrtare të Shqipërisë.

Në Këshillin Ndërministror, u diskutua vetëm mbi disa detaje të logos, si shkrimi që do të vendoset nën të. Kryeministri Berisha sugjeroi ndërrimin e shkrimit 100 vjet shtet shqiptar, me argumentin se shtet shqiptar ka patur edhe më parë gjatë historisë, si shteti i Skënderbeut, i Arbrit, etj. Ai sugjeroi që të vendoset vetëm 100-vjet pavarësi ose 100-vjet Shqipëri.

100-vjetori duhet tu shërbejë shqiptarëve për të vlerësuar më shumë veten dhe vendin e tyre, shtoi Berisha, i cili iu rikthye nevojës së rishikimit të historisë. Të vërtetat historike duhet të shprehen qartë dhe të shihen në dritën e aktualitetit të sotëm. Është e rëndësishme që ata miq të paktë që kemi patur ti nderojmë në këtë 100-vjetor.

Kryeministri theksoi gjatë mbledhjes së zhvilluar pasditen e se enjtes, se është e domosdoshme që kremtimet të kenë një karakter mbarëkombëtar.

Është e domosdoshme një përballje mbarëkombëtare, pasi pavarësia ishte një përpjekje gjithëshqiptare. Në të gjitha rrethet e vendit duhet të parashikohen ngjarje dhe kremtime.  E gjithë bota shqiptare duhet të bashkohet, edhe në Kosovë, Maqedoni dhe diasporë. Pavarësia nisi me Lidhjen e Prizrenit, në 1878 dhe përfundoi në 2008, me pavarësinë e Kosovës. Pa të, flamuri shqiptar në rastin e 100-vjetorit do të ishte në gjysmështizë.

Në vijim të fjalës së tij gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror për 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, Kryeministri Sali Berisha u shpreh se paralelisht me ndërtimin e monumentit të Pavarësisë do ringrihen edhe varrezat mbretërore të shkatërruara.

Në këtë linjë Berisha tha se po punohet për rikthimin e eshtrave të Mbretit Ahmet Zog.

Berisha ftoi Ministrinë e Brendshme që të përcjellë tek qeveritarët vendorë mesazhin e festimeve.

Është e domosdoshme që në të gjitha rrethet e vendit, në Vlorë, Durrës, Shkodër, Korcë, Gjirokastër, të ketë ngjarje, kremtime, ridimensionime, të gjithckaje që është e lidhur për 100 vjetorin .

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›