E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një ditë pas

24-12-2012 / Nga Dush Gashi

Sikur civilizimi Maja të kishte mbijetuar pushtimin e konkuistadorëve spanjollë, në shekullin e gjashtëmbëdhjetë, dhe sikur të kishte vazhduar zhvillimin e papenguar deri në ditën e sotme, majatë në këto çaste ende do të ishin duke kremtuar përfundimin e një periudhe kalendarike mijëravjeçare, të llogaritur me saktësi të pabesueshme nga shkencëtarët e tyre të lashtë, dhe fillimin e së resë. Dita e tyre e kremtes së madhe, këtë mëngjes, sipas kohës sonë, edhe në zonën e tyre kohore është në përfundim, dhe data e frikshme, 21 dhjetor 2012, pasi e ka përshkuar tërë globin, po shkon përfundimisht në histori, duke lënë pas vetëm kujtimet e hidhura për një profeci të frikshme. Jemi gjallë pra, Toka, ndonëse e brishtë dhe e bukur – siç thonë të jetë ata që e kanë parë nga Hëna - është ashtu siç ka qenë prej kohësh, dhe të gjitha parashikimet se me këtë ditë do të ndodhë fundi i botës dolën të rreme. Në të vërtetë, se botës nuk do t’i ndodhte asgjë me fillimin e kësaj date, lajmi kishte arritur që më parë nga hemisfera lindore e globit, duke shënuar ndoshta komunikimin më interesant ndër meridiane gjatë tërë historisë së njerëzimit. Tashmë sigurisht keni lexuar për porositë simpatike në Twitter, të cilat, në çastet e para të ditës së re, i kanë dërguar banorët e Zelandës së re: "Fundi i botës nuk ka ndodhur. Sinqerisht, Zelanda e juaj e Re”; "Në Zelandën e Re tash është e premte, por bota nuk mbaroi"; "Hej, botë, sot është 21 dhjetori në Zelandën e Re dhe bota është akoma këtu. Do të jeni të sigurt nesër, Amerikë”. Në marrëzinë e përgjithshme, Kosova doli të jetë shumë racionale. Për dallim prej shumë njerëzve në të gjitha anët e botës, të cilët, përkundër shpjegimeve të shumëta të argumentuara të shkencëtarëve dhe përkundër mendjes së shëndoshë, e pritën me ankth këtë datë, ndër kosovarët nuk është vërejtur ndonjë shqetësim, e lëre më ndonjë shfaqje paniku, apo, larg qoftë, vetëvrasjeje. Nuk ka ngjarë madje as për mahi që ndokush të kërkojë ndonjë vend të sigurt për të futur kokën, siç bënë rusët, duke hyrë thellë nën dhe, në një strehimore të ndërtuar për mbrojtje nga lufta bërthamore.
Askush nuk kërkoi ndonjë mal “shpëtimtar”, si francezët atë Pic de Bugarach, në të cilin besohet se ekziston një anije aliene, e cila do t’i shpëtojë në çastin vendimtar, apo si serbët, të cilët vërshuan kah mali Rtanj, për të cilin po ashtu besohet se emeton një energji të çuditshme mbrojtëse dhe forma e tij “piramidale” është gjurmë për vizitën e alienëve të lashtësisë. Hiq kundërshtimet e profecisë aty-këtu po ashtu me argumentin irracional teologjik, kosovarët mendjekthjelltë nuk patën nevojë as që udhëheqësit e tyre, për shembull presidentja Atifete Jahjaga apo kryeministri Hashim Thaçi, të detyrohen të aktrojnë ndonjë Stephen Hawking a ndonjë ekspert të NASA-s, siç u detyrua të bëjë presidenti rus, Vladimir Putin, i cili, për ta qetësuar popullin e tij tha: po, Tokës do t’i vijë fundi, por vetëm pas nja katër miliardë e gjysmë vitesh, për aq sa parashihet të ketë “jetë” Dielli ynë. Kosovarët, megjithatë, mund të mos jenë aspak më racionalë se popujt e tjerë. Është “kijameti” i vogël, po i përditshëm, i vështirësive të ekzistencës, i cili bën të mos e kenë luksin të merren me dofarë profecish të shpikura nga ata që “kanë nge”.
Përndryshe, po të ishin më të shquar për mendim kritik, zor se do të kishim udhëheqës kaq joracionalë, ilustrimin me të mirë për të cilët na e dha një prizrenase e moshuar, në takimin e qytetarëve me kryetarin e komunës: “Sot më ka pyetur nipi se mos do të bëhet kijameti të premten, por unë i thash se ku ka kiamet më të madh se të jetosh kështu pa ujë!”. As të mos ju shkojë mendja se zonja ka qenë shpirtngushtë. Sepse, që vendbanimet e Dukagjinit, rrëzë Alpeve shqiptare, të mos kenë ujë, është po aq irracionale sa të thuash se nuk ka rërë në shkretëtirë, akull në Arktik, apo kripë në Detin e Vdekur.
Marrë nga e përditshmja e Prishtinës “Zëri”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›