Portierët golashënues

Tim Howard i Evertonit u bë portieri i katërt në Premierligë që shënoi gol kur mposhti Adam Bogdanin e Boltonit, me një degazhim të mërkurën mbrëma. Amerikani goditi fuqishëm topin që kërceu dhe përfundoi në portën e Bogdanit të pafat. Por, Bolton buzëqeshi i fundit pasi riktheu rezultatin dhe fitoi 2-1 në Goodison Park, ndërsa Howard pas ndeshjes tha se nuk ndjeu gëzim nga turpërimi i portierit kundërshtar.
“Isha i lumtur që kaluam në epërsi dhe shpresoja se mund të marrim pikë të plota, por nuk është ndjenjë e mirë për një portier. Në fakt është shumë e keqe. Për mbrojtjen dhe portierët e të dyja skuadrave, kishte erë të fuqishme”, tha Howard.
“Mund të shihni se secili e gabonte leximin e topit. Mbrojtësit gabonin në largimin e topit në raste të cilat zakonisht nuk do të kishin paraqitur probleme. Mendoj se më së vështiri të luani është kur ka erë të fuqishme. Borë, shi, diell, nuk ka rëndësi, por era vërtet ju mashtron”, shtoi ai.
Megjithatë, Howard iu bashkua një liste të ngushtë të portierëve që kanë shënuar gol në Premierligë.
Të tjerët janë:
Peter Schmeichel (Everton - Aston Villa) – 20 tetor 2001
Danezi i lavdishëm shënoi 12 gola gjatë karrierës së tij, por i vetmi që realizoi në Premierligë erdhi për Aston Villën në humbjen 3-2 në Everton. Schmeichel u nis në sulm për një goditje nga këndi në çastet e fundit të takimit dhe arriti që me goditje volej ta dërgojë topin në rrjetë. Schmeichel ishte i njohur për reagimet e tij prapa, por prezenca e tij në zonën e Bayern Munichut u përcoll me golin e barazimit të Manchester Unitedit në finalen e Ligës së Kampionëve më 1999.
Brad Friedel (Blackburn - Charlton) – 21 shkurt 2004
Portieri i Blackburnit tregoi instinkt të golashënuesit tipik, kur barazoi rezultatin në The Valley. Friedel u nis në sulm për një goditje nga këndi në çastet e fundit të takimit dhe pas harkimit nga Brett Emerton topi përfundoi para këmbëve të tij dhe ai reagoi shpejt duke qëlluar më të majtën dhe duke tundur portën e Charltonit për rezultatin 2-2. Për fatin e tij të keq, pati ende kohë që Claus Jensen të realizonte golin e fitores për Charltonin.
Paul Robinson (Tottenham - Watford) – 17 mars 2007
Rasti më i ngjashëm me golin e Howardit, Robinson mposhti Ben Fosterin në fitoren 3-1 të Tottenhamit. Robinson degazhoi topin pas një goditjeje të lirë, ai kërceu në vijën e gjashtëmbëdhjetëmetërshit, kaloi mbi Fosterin dhe përfundoi brenda. Më 2003, Robinson shënoi një gol të bukur me kokë për Leeds Unitedin kundër Swindonit në Carling Cup.