E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moratinos takon Metën, i telefonon Berishës dhe Ramës

Ministri i Punëve të Jashtme spanjolle Moratinos ka pritur sot Zëvendës Kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Z. Ilir Meta. Lajmi bëhet i ditur nga faqja e Ministrisë së Jashtme spanjolle e cila thekson se takimi mes dy diplomatëve është fokusuar në marëdhëniet bilaterale dhe në situatën në Ballkanin Perëndimor në kuadër të përgatitjeve për Mbledhjen e Nivelit të Lartë në Sarajevë si dhe, në veçanti, në krizën politike që po kalon aktualisht Republika e Shqipërisë.

Gjatë takimit, Ministri Moratinos ka zhvilluar një bisedë telefonike me Kryeministrin e Shqipërisë, Z. Berisha, të cilin e ka inkurajuar për të gjetur një zgjidhje për krizën sa më parë që të jetë e mundur.

Për këtë qëllim, Ministri Moratinos pati gjithashtu dje një bisedë telefonike me liderin e Opozitës, Z. Rama, të cilit i kërkoi që të përfundonte grevën e urisë që po zhvillohej prej disa ditësh.

"Qeveria e Spanjës shpreson që të dyja palët të arrijnë një zgjidhje, sonte në takimin në Strasburg, me ftesë të Presidentëve të Grupeve Parlamentare Socialiste dhe Popullore të Parlamentit Europian, si dhe me pjesëmarrjen e Komisionerit për Zgjerim dhe Politika Europiane për Fqinjësi, Z. Fule" ka thuhet në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme spanjolle.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›