E Hënë, 2 Nëntor 2026

Moratoriumi i gjuetisë, gjuetarët e Korçës e konsiderojnë këtë masë të tej zgjatur si joefektive

Prej 12 vitesh në Shqipëri është në fuqi një moratorium që ndalon çdo aktivitet gjuetie, me qëllim mbrojtjen e faunës së egër. Por në qarkun e Korçës, gjuetarët e licencuar e shohin këtë masë si të zgjatur dhe të padrejtë.

Sipas Paqësor Gorellarit, sekretar i Shoqatës së Gjuetarëve në Pogradec, gjatë kësaj kohe ka pasur raste të shumta gjuetie abuzive nga persona të paautorizuar, të cilët kanë shkelur çdo rregull dhe kanë përdorur metoda të ndaluara, në ndryshim nga gjuetarët e pajisur me leje që respektojnë ligjin.

“Me moratoriumin nuk e di çfarë u mbuluar, ishte e gabuar sepse në vend që kafshën dhe shpendët të shtoheshin, ato u shfarosën sepse të tjerët gjuanin në mënyrë barbare jashtë sezonit. Gjuanin me drita, në kohën e shtimit, shfarosës në mënyrë të tmerrshme”, u shpreh Paqësor Gorellari, Sekretar i Shoqatës së Gjuetarëve.

Aktualisht, në Pogradec ka rreth 250 gjuetarë të regjistruar dhe në gjithë qarkun e Korçës afro 1300, të cilët nuk kanë mundur të ushtrojnë aktivitetin e tyre për më shumë se një dekadë, pavarësisht premtimeve për rishikimin e moratoriumit.

“Na është bërë gjithmonë premtimi që do të hapet, u bënë 2 vjet, më pas u bënë 7 vjet sepse e shtynë, u shty dhe 5 vite të tjera duke e çuar në 12 vjet moratoriumin”, tha Gorellari.

Gjuetarët shprehen të zhgënjyer dhe kërkojnë që ndalimi të mos zgjatet më tej. Ata thonë se kanë marrë sinjale pozitive për hapjen e sezonit të gjuetisë në shtator, por ende nuk ka një vendim zyrtar që ta konfirmojë këtë.

Gazetare Elsa Xhindole

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›