E Hënë, 2 Nëntor 2026

Plan masash për sezonin veror, Komisioni i Emergjencave Civile në Kukës ndan detyrat për institucionet

Premisat për shfaqjen e vatrave të zjarrit në pyje e kullota, apo edhe situata të tjera të ngjashme gjatë periudhës së verës, janë të larta.

Në prag të sezonit veror, i cili në fakt përkon edhe me sezonin turistik malor, Komisioni i Emergjencave Civile në Prefekturën e Qarkut Kukës parashtroi planin e masave për parandalimin, por edhe ndërhyrjen në kohë në raste të tilla.

Prefekti i Qarkut, Dritan Baji, tha se gatishmëria e të gjitha strukturave dhe angazhimi i tyre duhet të jetë efikas.

“Nga të gjithë ne kërkohet një angazhim maksimal që këto plane, të cilat i kemi bërë në letër, të jemi të gatshëm t’i zbatojmë në një kohë sa më të shkurtër në rast se do të gjendemi përpara situatave të emergjencës, kryesisht për rastet e zjarreve. Këtu roli kryesor fillon që te sistemi i lajmërimit në raste zjarresh, të cilat duhet të jenë shumë efektive, të organizuara në nivel bashkie, në fshatra, në lagje. Gjithashtu institucionet që kanë për detyrë monitorimin e terrenit të marrin një detyrë të veçantë në këtë aspekt, sepse duhet ta kryejnë sa më mirë këtë punë,” u shpreh z. Baji.

Në zonat me risk të lartë përfshihen masivet pyjore të njësive administrative Surroj, Arrën, Kolsh dhe Malzi, Parku Kombëtar Korab–Koretnik, zona e Pashtrikut dhe Parku Kombëtar i Valbonës.

Në jo pak raste, zjarret masive kanë shkrumbuar sipërfaqe të tëra me pyje e kullota, një pjesë e të cilave kërkon dekada për t’u rigjeneruar.

Gazetar: Bujar Muçmata

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›