Morën peng 19-vjeçarin, Mateos Brozi dhe Ergys Tusha do të qëndrojnë në burg

Dy të rinjtë e arrestuar të martën, pasi morën peng dhe mbajtën në garazhin e një pallati një 19-vjeçar në Rrëshen me qëllim për ta grabitur do të qëndrojnë në burg pa afat.
Mateoz Brozi 20-vjeç banues në Rrëshen dhe Ergys Tusha 19-vjeç banues në Durrës u njohën me masën e sigurisë në Gjykatën e Lezhës.
Në seancën gjyqësore të zhvilluar me dyer të mbyllura, gjyqtari Renis Sheshi pranoi kërkesën e prokurorisë duke e cilësuar të ligjshëm arrestimin në flagrancë të dy të rinjve dhe vendosi ndaj tyre masën e sigurisë arrest në burg për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Vjedhja me dhunë”, të kryera në bashkëpunim.
Mateoz Brozi dhe Ergys Tusha u prangosën nga policia, pas kallëzimit të një 19-vjeçari i cili ishte marrë me forcë në automjet dhe për t’i marrë paratë, e kishin mbajtur për disa minuta, kundër vullnetit të tij, në garazhin e mbyllur të një pallati në Rrëshen, dhe më pas e kishin lënë në rrugë.
Gjithashtu, u bë e mundur gjetja e shumës së parave të vjedhura me dhunë, 220 000 lekë, e cila u sekuestrua bashkë me automjetin tip “Audi A4”, me të cilin u mor me forcë 19-vjeçari, dhe 2 celularët e të arrestuarve.
/rtsh.al