E Diel, 1 Nëntor 2026

Morën peng mjekun grek, u sekuestrohen 4 shtëpi në Durrës

Prokuroria e Fierit urdhëroi sekuestrimin e 4 apartamenteve të blera për 17 milionë lekë të reja nga autorët e dyshuar, pak ditë pas pengmarrjes në Greqi

Katër pengmarrësit e një mjeku grek, të arrestuar pak kohë më parë në kufirin me Bullgarinë, rrezikojnë të humbin pronat e tyre, të cilat dyshohet se janë blerë me paratë e grabitura. Specialistët e antikrimit ekonomik kanë zbatuar vendimin e Prokurorisë së Fierit për sekuestrimin e 4 apartamenteve në Durrës, vlera e të cilave ishte 17.5 milionë lekë të reja. Katër të akuzuarit për pengmarrjen, Klodjan Lamaj, Çerçiz Agallija, Mariglen Hamataj dhe Ornela Koleci aktualisht ndodhen të arrestuar në Bullgari, në pritje të ekstradimit drejt shtetit grek. Me anë të një vendimi të datës 07.09.2011, Prokuroria e Fierit urdhëroi sekuestrimin e 3 shit-blerjeve, të kryera nga ana e Lamjat dhe Agallijas, të cilët kanë blerë 4 apartamentet në qytetin e Durrësit. Nga ana e saj, Policia e Shtetit ka zbatuar urdhrin e organit të akuzës së qytetit të Fierit, duke sekuestruar këto apartamente. Këto apartamente janë blerë në datat 13-20 qershor 2011, ku rezulton që këto blerje të jenë bërë vetëm pak ditë pasi këta persona kanë marrë, përmes pengmarrjes, shumën prej 1.3 milionë eurosh nga ana e familjarëve të mjekut grek. Katër personat e akuzuar nga drejtësia greke janë arrestuar në Bullgari më 30 korrik të këtij, pasi Policia Greke kishte lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar për ta. Sipas hetimeve të policisë greke rezulton se Klodjan Lamaj, Çerçiz Agallija, Mariglen Hamataj dhe Ornela Koleci akuzohen për pengmarrjen dhe dhunimin e mjekut të moshuar. Mjeku 67- vjeçar grek ishte marrë peng, ndërsa ishte duke punuar kopshtin e tij, në zonën e Stamatas dhe pasi është rrëmbyer është dërguar në një lokalitet të thellë dhe malor në pyllin e Agios Merkurios, ku rrëmbyesit i kishin përgatitur një kasolle të improvizuar për ta mbajtur në mes të pyllit. Gjatë rrëmbimit, pesë shqiptarët e lëshuan pengun dhe policia mundi ta marrë atë vetëm pasi familja e doktorit u pagoi pengmarrësve një gjobë prej 1 milion e 360 mijë euro, ndërsa shuma e parave u dorëzua nga familjarët në një tjetër kasolle të braktisur në zonën e Atikës. Një hetim i policisë greke bëri të mundur zbulimin e identitetit të pengmarrësve, të cilët kanë fluturuar drejt Shqipërisë një ditë pas lëshimit të pengut të tyre 67- vjeçar. Thimi Samarxhiu

Pronat e sekuestruara

Dy apartamente me sipërfaqe 86 dhe 103 m2, të blera nga Klodian Lamaj në vlerën e 8.5 milionë lekëve

Një apartament 91 metra katrorë, me vlerë 4 mln lekë, e blerë nga Mariglen Hamataj

Një apartament 105 m 2, e vlerë për 5 milionë lekë të reja, nga Çerçiz Agallija

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›