E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafik droge me tragetin Vlorë-Brindizi, arrestohen 3 pronarët italianë

SHKRUAN: Habjon Hasani 17-09-2011 11:24

Policia italiane zbulon një linjë të trafikut të drogës me tragetin Vlorë-Brindizi dhe arreston 3 pronarët italianë. Superaksioni i karabinierëve italianë ka çuar në pranga 25 persona, mes të cilëve 8 shqiptarë, të cilët akuzohen për trafikun e hashashit, heroinës dhe kokainës nga Shqipëria në Itali. Sipas mediave italiane, drejtuesit e rrjetit kanë qenë tre vëllezërit nga Kazarano, Salvatore, Ezio dhe Osvaldo Primiçeri. Që prej marsit të vitit 2008, ata kishin krijuar në Shqipëri kompaninë “Transporti Primiceri Vlora”, e cila zotëronte tragetin e linjës së Brindizit “Veronica Line” si dhe një sërë biznesesh të tjera në vendin e tyre. Tre biznesmenët italianë, të akuzuar për drejtimin e organizatës së narko-trafikut u arrestuan dje në Leçe e fill pas këtij akti, policia nisi punën për sekuestrimin e 7 kompanive të tyre. Sipas hetimeve të kryera nga policia italiane, biznesi i transportit shërbente si koperturë e trafikut të kanabisit dhe kokainës, e cilat mbërrinte në Itali përmes tragetit tashmë të sekuestruar nga policia italiane. Organizata kriminale ka trafikuar rreth 300 kilogramë marijuanë dhe 19 kokainë, ndërsa përgjimet telefonike kanë zbuluar dhe lidhje shumë të forta mes trafikantëve shqiptarë dhe krerëve italianë. Lënda narkotike fshihej në disa goma pneumatike zetorësh, të cilat shkonin drejt Italisë. Hetimet për këtë linjë të trafikut të drogës nisën prej vitit 2009, kur janë kapur rreth 300 kilogramë kanabis në pesë operacione të ndryshme si dhe janë arrestuar 11 shqiptarë. Gjatë operacionit të djeshëm janë konfiskuar prona dhe kompani të vëllezërve Primiçeri në vlerën e 20 milionë eurove, mes të cilave trageti “Veronica Line”, 79 automjete të llojeve si maune, furgonë, zetorë dhe autovetura si dhe dy kompanitë e tyre, “Fergomline de Italia s.r.l” dhe “Trasporti f.lli primiceri s.r.l.“. Hetimet e para në vitin 2009 kanë nisur pas arrestimit të disa korrierëve të drogës, të cilët furnizonin disa territore me kanabis, kokainë dhe heroinë. Hetuesit, nëpërmjet informatorëve dhe përgjimeve kanë zbuluar se informacionet “kryqëzoheshin” të gjitha në ofiçinat e vëllezërve Premiçeri, por duket se tre vëllezërit italianë janë treguar shumë të kujdesshëm në fshehjen dhe tjetërsimin e ngarkesave me drogë, pasi ato hynin në territorin italian, ndaj edhe vetëm javët e fundit është bërë e mundur të identifikohet plotësisht lidhja e drejtpërdrejtë mes kompanive të tre vëllezërve italianë dhe ngarkesave të drogës, që shkonin nga Shqipëria drejt Italisë. Dyshohet se kompanitë e vëllezërve italianë kanë shërbyer si një ndër pikat më të rëndësishme të transportit të hashashit nga Shqipëria drejt Italisë, ndërsa këtë linjë transporti e kanë shfrytëzuar herë pas here dhe trafikantët shqiptarë të heroinës dhe kokainës. Që prej vitit 2007, kësaj organizate i janë arrestuar 76 persona si dhe janë sekuestruar 300 kilogramë marijuanë, 19 kokainë dhe 4 heroinë.

300 Kilogramë marijuanë të trafikuara nga kjo organizatë janë sekuestruar nga policia italiane që prej vitit 2007 e deri më sot. Dyshohet se kjo linjë ishte ndër më kryesoret për trafikun e hashashit

19Kilogramë kokainë dyshohet të jetë transportuar nga Shqipëria drejt Italisë me tragetin “Veronica Line” të tre vëllezërve Primiceri. Atyre u ishin bllokuar gjithashtu edhe 4 kg heroinë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›