E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e Konomit, sekuestrohet dosja e 257 hektarëve në Prokurori

SHKRUAN: Leonard Bakillari 17-09-2011 11:32

Tiranë Hetimet për vrasjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi vazhdojnë të mbeten të fokusuara te konfliktet e mundshme për çështje pronësie, si një nga pistat më të forta. Hetuesit kanë nisur verifikimin e dokumentacionit voluminoz të pronësisë për të gjitha tokat e trashëguara nga familja Konomi në Vlorë dhe Gjirin e Lalzit në Durrës. Së fundmi, grupi i hetimit ka sekuestruar dosjen hetimore për një konflikt të hershëm pronësie, që lidhet me një sipërfaqe prej 275 hektarësh tokë në Gjirin e Lalzit e për të cilën palët pretendojnë për falsifikim dokumentesh. Sipas burimeve të rezervuara, mësohet se dosja e dokumentacionit për çështjen e pronësisë së pazgjidhur është duke u analizuar nga Prokuroria për Krime të Rënda, e cila ka nisur një proces të detajuar verifikimi në këtë drejtim. Dosja në fjalë, ku janë grumbulluar një sërë dokumentesh, aktualisht është nën hetim nga Prokuroria e Tiranës, pas një kallëzimi për falsifikim dokumentesh të bërë nga të afërm të gjyqtarit të vrarë, rreth katër muaj më parë. Duke qenë se konflikti për këtë pronë është një nga pistat e hetimit, grupi i ngritur për këtë çështje ka kërkuar të gjithë informacionin e nevojshëm për të kryer verifikimet përkatëse. Paraprakisht hetuesit janë njohur me natyrën e konfliktit, ku trashëgimtarët e familjes Shallvari, pjesë e së cilës është dhe familja Konomi, pretendojnë se po u merret një pjesë e pronës së tyre me dokumente të falsifikuara. Ky pretendim është verifikuar nga prokuroria e Tiranës, e cila me atë të ekspertit ka mundur paraprakisht të arrijë në konkluzionin se një nga fletët e regjistrit të pronësisë, që daton në vitin 1944, rezulton e falsifikuar. Por ky konkluzion nuk është përfundimtar, pasi ekspertimi është kryer mbi fotokopjen e regjistrit dhe jo mbi materialin origjinal. Nga ana tjetër, Prokuroria e Durrësit ka një tjetër kallëzim, ku pretendentët si pronarë të tokës, akuzojnë trashëgimtarët e familjes Shallvari për falsifikim dokumentesh. Edhe kjo dosje pritet të sekuestrohet nga Krimet e Rënda, e cila një pjesë të grupit të posaçëm hetimor e ka ngarkuar me verifikimin e problemeve të pronësisë. Ajo që konfirmohet nga hetimet e deritanishme ka të bëjë me faktin se të dyja palët pretendojnë një sipërfaqe toke prej rreth 275 ha, e cila ndodhet në pronat e të dy familjeve pretendente, apo e thënë më thjesht, sipas dokumentacionit rezulton e mbivendosur. Për këtë çështje është shprehur më 13 gusht edhe Gjykata e Tiranës, e cila ka vendosur të ngrijë përkohësisht këtë sipërfaqe toke, duke mos lejuar hipotekimin e saj deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes në rrugë gjyqësore. Por sipas hartës së pretenduar, rezulton se një pjesë e tokës së ngrirë ka mbivendosje me tokën që gjyqtari Konomi fitoi tre muaj më parë me vendim të formës së prerë të Gjykatës së Lartë. Sipas burimeve, mësohet se konflikti i pronësisë është vetëm një nga pistat që po hetohet, pasi në verifikim është edhe çështja tjetër që ka të bëjë me ndonjë konflikt të mundshëm për sipërfaqen prej 1127 ha tokë, që gjyqtari Konomi kishte marrë me vendim të Gjykatës së Lartë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›