Mori ryshfet, polici arrestohet në flagrancë
Tiranë, Qamil Brahja është prangosur në zyrën e tij në komisariatin nr. 4 vetëm pak çaste pasi morri 500 mijë lekë
Oficeri i seksionit të vjedhjeve, për t’i shpëtuar rrezikut, i kishte vendosur paratë në një kasafortë
TIRANË- Përfundon në qeli një oficer policie, akuzohet për shpërdorim detyre. Qamil Brahja, 27-vjeç, me detyrë oficer policie në seksionin kundër vjedhjeve të makinave pranë Policisë së Tiranës, është arrestuar ditën e djeshme nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm vetëm pak minuta pasi i kishte marrë ryshfet një qytetari. Burime nga policia thanë se Brahja u kap në zyrën e tij e cila përkohësisht ndodhej në ambientet e komisariatit të policisë nr.4, në Tiranë. Mësohet se oficeri i policisë i kishte kërkuar 500 mijë lekë të vjetra babait të një të shoqëruari në këmbim të lirimit të këtij të fundit. Por informacioni i mbërritur në “vesh” të SHKB-së ka bërë që oficeri i policisë të prangoset për mitmarrje.
Mitmarrja
Dy ditë më parë, shërbimet e komisariatit të policisë kanë ndaluar një person me iniciale A.F, teksa udhëtonte me automjetin e tij. Pas verifikimeve të para punonjësit e patrullës së policisë dyshuan se automjeti me të cilin po udhëtonte qytetari ishte i vjedhur ndaj dhe vendosën shoqërimin e tij dhe bllokimin e automjetit. Në këto rrethana kjo çështje i kaloi seksionit kundër vjedhjeve të automjeteve e cila merret me verifikimin e këtyre rasteve. Çështjen e mori oficeri i policisë Qamil Brahja, i cili nisi verifikimet. Burime nga policia thanë se automjeti i shtetasit A.F, nuk ishte i vjedhur, por dyshohet se të kundërtën ka thënë oficeri i policisë që sipas burimeve kishte për qëllim marrjen e një ryshfeti. “Për të liruar djalin dhe automjetin, është e mundur nëse me jep 500 mijë lekë të vjetra”,- mësohet t’i ketë thënë Brahja babait të personit i cili kishte disa orë i shoqëruar në ambientet e komisariatit të policisë nr.4. Megjithëse ishte i bindur se djali i tij nuk e kishte vjedhur automjetin, ai pranoi të jepte paratë pasi nuk ishte i sigurtë nëse e bindte policinë ndryshe. Mësohet se babai i personit të shoqëruar vendosi t’i japë paratë oficerit duke kërkuar borxh sepse për momentin nuk posedonte shumën e kërkuar.
Arrestimi
Një ditë më pas, pikërisht paraditen e djeshme, babai i të shoqëruarit i ka treguar oficerit të policisë se nuk kishte mundur të gjente shumën që ai i kishte kërkuar prej 500 mijë lekë të vjetra, por vetëm 200 mijë. Këtë shumë parash dyshohet se Brahja nuk e ka kundërshtuar, ndaj dhe i ka marrë paratë në zyrën e tij. Para se të kryhej dorëzimi i shumës së parave, pakti mes palëve për të liruar të pafajshmin, SHKB-ja e kishte mësuar në rrugë operative, ndaj dhe u vu menjëherë në lëvizje për të kryer kapjen në flagrancë të policit. “Për këtë ngjarje u lajmërua, prokurori, dhe nisën menjëherë hetimet. U vu në vëzhgim dorëzani i parave dhe sapo ai doli nga zyra, punonjësit e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm pasuan në zyrën e oficerit Qamil Brahja ku kryen një kontroll. Oficeri për t’i shpëtuar rrezikut i kishte vendosur paratë në një kasafortë, por hetimi zbuloi se ishin pikërisht 200 mijë lekët që babai i personit të shoqëruar i kishte dhënë oficerit. 200 mijë lekët e vjetra të ndara në katër kartëmonedha, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale ndërsa ndaj oficerit të policisë u mor masa e arrestit” thanë për “Shekullin” burime nga policia. Të njëjtat burime shtuan se Brahja nuk ka kundërshtuar urdhrin e arrestit të kolegëve të tij, ndërsa ka kërkuar avokat për të dhënë dëshminë e tij.