E Diel, 1 Nëntor 2026

Pallat në tokën e Gardës, drejtuesit marrin hyrje

 

Prokuroria ka bllokuar pallatin 15- katesh dhe ka nisur hetimet për ish- drejtuesit e Gardës që lejuan abuzimin

TIRANË- Të japësh një tokë tek një kompani ndërtimi me kushtin që në përfundim të pallatit të marrësh disa apartamente është kthyer në një fenomen tepër të zakonshëm në kryeqytet. Aq më mirë kur toka është në një vend të preferuar, siç është zona pranë Gardës së Republikës dhe pallati që do të ndërtohet është 15 kate i lartë pasi në këtë rast edhe përfitimi është më i madh. Por çudia e këtij rasti është se toka është në pronësi të vetë Gardës së Republikës dhe njerëzit që do të përfitojnë apartamentet aty janë punonjësit e Gardës. Ky fakt është zbuluar nga prokuroria, e cila ka urdhëruar menjëherë bllokimin e pallatit dhe ka nisur hetimin për personat përgjegjës.

Burimet e prokurorisë shpjeguan se janë marrë në cilësinë e personave nën hetim ish-drejtuesit e Gardës dhe anëtarët e Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në kryeqytet. Shkak për marrjen nën hetim të këtyre personave është bërë zyra juridike e Ministrisë së Brendshme, e cila ka depozituar që në mars të këtij viti kallëzimin penal për këto shtetas, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur për arsye hetimore. Sipas akuzës, anëtarët e Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në kryeqytet duke shfrytëzuar falsifikimin e dokumentacionit i kanë kaluar një pjesë të pronës së Gardës së Republikës disa pronarëve që kishin pronat e tyre ngjitur, ku këta të fundit në marrëveshje me ish-drejtuesit e Gardës ia kanë dhënë në shfrytëzim këtë truall një firme të ndërtimit, e cila ka filluar ngritjen e një godine banimi prej 15 kate. Gjithashtu, në këtë aferë të tjetërsimit të pronës, dyshohet se janë përfshirë edhe ish-drejtuesit e Gardës, të cilët kanë lejuar që fare pranë depove të armëve dhe tuneleve të këtij institucioni të ndërtohet pallati 15 katesh. Brenda kësaj godine 15 kate mësohet nga akuza, se institucioni i Gardës do të marrë në kompensim disa hyrje që do të ndërtohen në këtë pallat. Gjithashtu, sipas këtyre burimeve, mësohet se ndërtimi i këtij pallati 15- katesh fare pranë depove të armëve, tuneleve nëntokësore dhe pistës së uljes së helikopterëve, ka bërë që këto të fundit të mos kryejnë që nga dita e fillimit të punimeve asnjë ulje në këtë pistë, për shkak të lartësisë së pallatit. “Firma ndërtuese me dokumente të rregullta, të cilat i janë vëna në dispozicion nga pronarët e tokës të cilët kanë fituar pronën me vendimit të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronës në kryeqytet, kanë filluar ndërtimin e pallatit 15- katesh në hyrje të Liqenit Artificial duke hyrë edhe në pjesën e truallit të Gardës së Republikës me marrëveshje të ish-drejtuesve të këtij institucioni ushtarak, ku nga 15 katet e parashikuar për ndërtim, firma deri më tani ka ngritur 8 kate dhe punimet ende vazhdojnë”,- thuhet nga akuza. Pas verifikimit të kryer nga auditi i brendshëm i ministrisë, juristët e këtij institucioni kanë arritur në përfundim, se disa dhjetëra metra katror toke në pronësi të Gardës me dijeni të ish-drejtuesve të këtij institucioni kanë kaluar në pronësi të disa pronarëve që kishin pronën aty ngjitur dhe në bashkëpunim mes tyre, duke nënshkruar kontrata palët ia kanë dhënë truallin firmës së ndërtimit, e cila ka filluar punimet e ndërtimit, duke bllokuar pistën e uljes së helikopterëve. Burimet zyrtare konfirmuan se vetëm anëtarët e Komisionit të Pronave janë marrë në cilësinë e personave nën hetim, ndërsa ndaj ish-drejtuesve të Gardës po hetohet për zbardhjen dhe identifikimin e cilësisë së tyre në këtë hetim disamujor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›