Mos bllokoni fantazinë e fëmijëve
Gjatë periudhës 2-6-vjeçare, që quhet edhe fëmijëria e dytë, ndodhin transformime të thella në drejtim të interesave të tij, të marrëdhënieve me mjedisin kryesisht me nënën dhe babain, si dhe hidhen bazat e organizimit të personalitetit të tij.
Në vitin e tretë, në rastin e një zhvillimi normal të fëmijës, edhe zona gjenitale kthehet në një objekt interesash të mëdha për fëmijën, nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, kjo zonë kthehet në zonë erogjene dominuese. Po në këtë kohë fillojnë të shfaqen edhe interesat e para të dallimit midis sekseve. Si për meshkujt, ashtu edhe për femrat, në një moment të veçantë të kësaj periudhe, diferencat e organeve gjenitale shtrohen para fëmijës po aq thjesht sa edhe pyetja, “të kesh apo të mos kesh një objekt”. Vetëdija e fituar në këtë kohë do të ndikojë mjaft në të gjitha marrëdhëniet dhe dashurinë me ambientin rrethues, e veçanërisht me prindërit.
Marrëdhëniet më të rëndësishme me prindin, të cilat vendosen gjatë kësaj faze (që quhet faza fallike) përmblidhen në atë që quhet “Kompleksi i Edipit” dhe që kanë një rëndësi vendimtare në zhvillimin psikik normal apo edhe patologjik të fëmijës.
Konceptet mbi “Kompleksin e Edipit” sot janë zhvilluar aq shumë, saqë influencojnë jo vetëm në shkencat që merren me zhvillimin e fëmijëve por edhe në kulturën moderne. Frojdi (Freud) qe i pari zbuloi se në psikikën jokoshiente të pacientëve të tij psikotikë, gjithmonë shfaqeshin fantazi të një marrëdhënieje të dyfishtë me prindin e seksit të kundërt. Ky zbulim shkonte për analogji me legjendën greke të Edipit, i cili vrau të atin dhe pastaj u martua me të ëmën, natyrisht, pa e ditur se çfarë po bënte. Tek fëmijët sjellja është e dyfishtë në marrëdhëniet me dy prindërit. Djemtë, dëshirojnë të “eliminojnë” atin dhe të fitojnë postin e tij në raport me nënën; vajzat të kundërtën, pra ato largohen nga nëna për tu afruar me atin. Shfaqja është problem i vërtetë dhe i plotë dashurie. Por është e pamundur të përshkruhet me vërtetësinë e plotë intensiteti i furisë së pasionit, dashurisë, butësisë nga njëra anë, dhe urrejtjes, xhelozisë, zemërimit dhe frikës që shpërthejnë brenda fëmijës. A ka ndryshime në zhvillimin e konfliktit edipian tek djemtë dhe tek vajzat? Po ky ndryshim është i dukshëm.
Në përfundim të periudhës edipiane, fundi i vitit të gjashtë, fantazitë që lidhen me të, fillojnë e largohen nga koshienca për t’u strehuar në atë pjesë të psikikës që i takon të pavetëdijshmes. Por edhe pse të burgosura në këtë sektor, ato vazhdojnë të luajnë një rol shumë të rëndësishëm pothuajse në të gjitha drejtimet e jetës psikike. Mjafton të përmendim ndikimin mbi format dhe objektin e dashurisë së periudhës të moshës së rritur, mbi aktivitetin krijues, artistik dhe Professional por, edhe mbi formimin e tipareve të karakterit apo edhe të çdo simptome patologjike neurotike që mund të vërehen në individë të veçantë.
Dr.Çimi, çfarë duhet të bëj kur shikoj fëmijën të shfaqë sjellje si prekja e organeve seksuale, apo fjalë që nuk janë për moshën. Gjyshi i vet (babai i gruas” i thotë shpesh “do ta pre bibilushin”, ;por mua kjo nuk më duket zgjidhje. Pres përgjigje, falëminderit. Lexues nga Durrësi
Të gjithë psikanalistët kanë këshilluar dhe këshillojnë, se është e domosdoshme të mos i ndrydhim dhe të mos i fajësojmë fëmijët në manifestimet e sjelljeve të tyre seksuale. Sado e padëshirueshme të jetë për prindin një shfaqje e tillë, gjithsecili nga ne duhet të jetë i bindur se: ndalimi i prekjeve dhe, për më tepër, kanosjet e kërcënimet që e shoqërojnë atë, patjetër që do të shkaktojnë tek fëmija ankthin e kastrimit (tredhjes). Duke bllokuar fantazinë, nuk do të bënim tjetër veçse do të dëmtonim zhvillimin psikik të fëmijës dhe strukturimin e tij edipor. Çdo lloj ndalimi apo shtypje e kuriozitetit seksual, mund të shoqërohet edhe me frenimin e kurioziteti intelektual të fëmijës. Nga të gjitha format e ndalimit, ajo që është me rëndësinë më të madhe është, sjellja me ankth të madh i prindërve duke e ndjekur atë në çdo moment, deri edhe në shtrat. Në këto kushte, fëmija ndihet fajtor pa faj.
Fëmijët janë në gjendje të na vlerësojnë për përgjigjet që marrin. Nëse do t’u japim përgjigje jo të sakta apo dredhuese, në një të ardhme jo të largët, do të zhvlerësohemi para tyre.
Ne ndoshta harrojmë se çfarë kemi thënë (çfarë kemi gënjyer) fëmija nuk harron kurrë se çfarë përgjigje ka marrë! Jo vetëm për pyetjet rreth problemeve seksuale, por për çdo lloj pyetjeje kurrë mos i dredhoni fëmijës, nëse nuk dini t’i përgjigjeni për momentin kërkojini atij kohë, pyesni dhe pastaj përgjigjuni!
Përshëndetje Dr.Çimi--------------------------------------------------Vitaminë A që në orët e para të jetës?
Kur lindin, foshnjet kanë në organizëm një rezervë të vitaminës A, e cila është e mjaftueshme për një periudhë të shkurtër kohe, derisa ato fillojnë të ushqehen me qumështin e gjirit.
Por nëse nëna nuk është e ushqyer siç duhet, qumështi që ajo prodhon mundet të mos përmbajë mjaftueshëm vitaminë A. Tek një numër vendesh në zhvillim, ku ritmi i vdekjeve për të porsalindurit është veçanërisht i lartë, kjo mungesë mund të shkaktojë edhe vdekje. Një studim i kohëve të fundit, tregon se dhënia siç duhet e vitaminës A menjëherë pas lindjes, mund të pakësojë ndjeshëm shanset e vdekjes tek foshnjet.
Studimi i Universitetit “Xhon Hopkins” thekson të mirat që ka dhënia e vitaminës "A" deri në 7 orë pas lindjes së fëmijës.
Si rezultat, ka plane për ta shtuar dhënien e vitaminës A tek të gjitha foshnjet e porsalindura. Nuk janë mundësitë të jepen doza të përsëritura të Vitaminës A, në rastet kur një numër i madh foshnjesh në vendet të varfra, lindin në shtëpi. Për rastet e tjera, dhënia e një doze të vitaminës A që në orët e para pas lindjes së foshnjes është mëse e këshillueshme.