“Mos luani me zjarrin, sepse ju garantojmë se do të digjeni”
Frazat tepër fyese dhe tendencioze në enciklopedinë maqedonase, ku shqiptarët quheshin njerëz mali, kanë acaruar tonet politike në këtë vend multietnik. Partia Demokratike shqiptare ka reaguar ashpër ndaj enciklopedisë maqedonase, e cila poshtëron popullin dhe kombin shqiptar. PDSH nuk ka nguruar t’iu kujtojë mbrojtësve të këtyre tezave se mund të digjen në zjarrin që po ndezin vetë. Anëtari i Kryesisë Qendrore të PDSH-së, Imer Aliu, në një konferencë për shtyp, theksoi se qeveria aktuale tashmë 15 muaj proklamon nacionalizëm primitiv me përmasa shqetësuese. “Paralajmërimet e PDSH-së, tashmë 15 muaj për nacionalizëm primitiv që proklamohet nga ana e kësaj qeverie, veçmas po merr përmasa shqetësuese duke bërë falsifikim të historisë dhe duke fyer jo vetëm shqiptarët, por edhe amerikanët dhe britanikët. E gjithë kjo është pasojë e servilizmit të puthadorëve të BDI-së dhe Alisë në këtë qeveri”, - theksoi Imer Aliu. PDSH publikisht kërkon të sqarohet roli i anëtarëve shqiptarë të kësaj akademie, Alajdin Abazi, Luan Starova dhe Ali Aliu dhe të njëjtit të japin dorëheqje, sepse kjo enciklopedi fashizoide mban vulën e akademisë maqedonase, anëtarë të së cilës janë edhe këta shqiptarë. “Akademikët maqedonas, Gruevski dhe Alia mund të jenë vetëm minj, që tentojnë të gërryejnë historinë e shqiptarëve. I përkujtojmë këta se ne shqiptarët jemi një popull i lashtë që na njeh gjithë bota dhe nuk kontestohemi nga askush. Nga selia e PDSH-së ua dërgojmë një porosi: Mos luani me zjarrin, sepse ju garantojmë se do të digjeni”, - theksoi Aliu.
Reagimi i BDI-së
Ndërsa BDI ka vendosur të padisë akademikët që kanë shkruar këto pasazhe fyese për shqiptarët. Deputeti i BDI-së, Xhevat Ademi, ka reaguar ashpër ndaj enciklopedisë maqedonase, e promovuar ditë më parë nga Akademia e Shkencave dhe kreu shtetëror maqedonas. “Ali Ahmeti personalisht, por edhe Bashkimi Demokratik për Integrim si parti do të padisin ASHAM-in për insinuatat dhe gënjeshtrat e prezantuara në enciklopedinë. Padia do të jetë jo vetëm për shpifjet për kryetarin Ahmeti për gjoja krime lufte, por edhe për gënjeshtrat dhe pasaktësitë që përmban enciklopedia për origjinën dhe autoktoninë e shqiptarëve”, - theksoi Ademi. Ademi thotë se në enciklopedi ka aq shumë pasaktësi, budallallëqe dhe aq shumë idiotizëm e shovinizëm, saqë njeriu duhet patjetër të mendohet thellë se pse ndodh kjo... “Çfarë porosie dëshiron të përcjell ASHAM-i me këtë? Të vihet sot në pikëpyetje origjina dhe autoktonia e shqiptarëve, këtë mund ta bëjnë vetëm njerëz të cilët nuk marrin erë nga shkenca, nga historia dhe historiografia nuk e kanë as germën ‘h’”, - thotë Ademi. Nga Bashkimi Demokratik për Integrim thonë se nuk do të rrinë duarkryq dhe indiferentë ndaj këtij sulmi primitiv të akademikëve maqedonas, por do t’i ndërmarrin të gjitha masat që të korrigjohen gabimet, gënjeshtrat, shtrembërimet dhe budallallëqet e këtij publikimi të shtypur me paratë e popullit.
Xhufi dhe Egro: Shkupi, provokim politik
Studiues dhe akademikë shqiptarë e kanë cilësuar provokacion, por edhe një dështim të Akademisë së Shkencave të Maqedonisë, enciklopedinë e shkencave ku shqiptarët cilësohen si popull ardhacak dhe i zbritur nga malet. “Fakti që ndodh në shekullin XXI nga një shtet që ka probleme të tjera, siç është çështja e emrit, është për t’u keqardhur. Ky qëndrim nuk gjen asnjë konfirmim historik, ndërkohë që burimet thonë se para shekullit të 15-të, trojet që sot i quajmë Maqedonia Perëndimore, konsiderohen si treva shqiptare me popullsi shqiptare”, - u shpreh historiani Pëllumb Xhufi. Studiuesi Dritan Egro e cilëson këtë një dështim të radhës të Maqedonisë dhe argumenton se shqiptarët janë një nga popujt më të vjetër në Ballkan. “Më duket e pavend sot kur dokumentacioni historik Maqedoninë nga shekulli i 15-të nuk e përmend fare. Ky shtet u krijua për të kënaqur fuqi të mëdha”, - u shpreh Egro.
Sipas studiuesve, nuk ka asnjë argument shkencor dhe historik për të mbështetur studimet maqedonase. Studiuesit shqiptare thonë se e gjithë kjo ka prapavijë politike.
Akademikët maqedonas bëjnë provokime të forta ndaj shqiptarëve, ndërkohë që ende nuk e kanë zgjidhur çështjen e emrit me Greqinë, një çështje që u mohoi edhe të drejtën për t’u anëtarësuar në NATO.
Godo: Incident që cenon stabilitetin
Politikani, historiani dhe shkrimtari i njohur, Sabri Godo, e ka vlerësuar si një akt shumë të rëndë për bashkëjetesën e shqiptarëve dhe maqedonasve citimet që shkruhen në fjalorin e ri të Maqedonisë, ku shqiptarët citohen si të ardhur shumë vonë në ato toka. "Nënteksti i kësaj është t’u bëhet thirrje maqedonasve të çlirohen nga pushtuesit. Domethënë të hyjnë në një konflikt të hapur me shqiptarët. Nëse u vëmë gjërave emrin e vërtetë të tyre, atëherë do themi që ky është një atentat që i bëhet bashkëjetesës dhe bashkëqeverisjes në Maqedoni. Është një nxitje për konflikt të hapur. Si ideologji kjo nuk është një gjë e re, se 100 vjet më parë kanë folur serbet, që shqiptarët janë të egër, janë me bisht, jetojnë nëpër pyje etj. Kjo është një përsëritje e asaj, shkelin drejt për drejt në këto gjurmë të këtyre serbomëdhenjve të kohës së shkuar", - thotë Sabri Godo. Godo thotë më tej se Ministria e Jashtme të nis komunikimin me Shkupin zyrtar nëpërmjet kanaleve diplomatike, një veprim që sipas politikanit të njohur, nuk është një ogur i mirë. "Tani sipas mendimit tim, duhet që qeveria maqedonase të thotë fjalën e vet, po ose jo, kjo është bërë me investimin e qeverisë maqedonase. Në qoftë se pajtohet me të dhe e lë në qarkullim këtë gjoja vepër të akademikëve të fandaksur, atëherë kjo është një rrëshqitje e rrezikshme, që çon drejt përçarjes së Maqedonisë", - vijon Godo. Në analizën historike të këtij pretendimi, të shkruar në fjalorin e ri enciklopedik, shqiptarët rezultojnë për herë të parë si asnjëherë tjetër, sipas Godos, edhe pushtues.
Akademikët shqiptarë: Çfarë thonë faktet historike!
Asnjë akademik që ka sadopak njohuri në fushën e arkeologjisë apo dhe të historisë nuk do të guxonte të shkruante pretendimin se shqiptarët janë një popull malësor, që u vendos ne Maqedoni pas shekullit XVI. Ky është vlerësimi i parë i zëvendëskryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Myzafer Korkuti, i cili në një intervistë për ALSAT, jep disa fakte konkrete të pranisë së fiseve ilire në tokën maqedonase dhe deri në kufi me lumin Vardar. "Kam parasysh botimet e bëra pas Luftës së Dytë Botërore nga vetë specialistët ish-jugosllavë, ose maqedonas. Në vitin 1952 arkeologu i njohur Lahtov botoi studimet që kishte bërë në varrezën e Trebenishtit. Trebenishti është ngjitur me Ohrin, një varrezë monumentale, shumë e pasur, e shekujve 7-8 para Krishtit. Dhe pasuria e materialit, larmia e materialit, luksi i materialit, është fjala për maska prej ari, për objekte të shtrenjta, të një parie, aristokracie mjaft të avancuar bashkëkohore. Dhe në përfundimet e tjera është dhe konkluzioni i rëndësishëm, shumë historik, ku vetë Lahtovi thotë se kjo popullsi është popullsi ilire. Nuk kemi pse të vëmë në dyshim një të vërtetë që është nga vetë goja e specialistëve të tyre", - thotë Myzafer Kërkuti. Akademiku Korkuti thotë se të dhënat e mësipërme janë të materializuara edhe në zbulimet arkeologjike që ndodhen në zemër të Maqedonisë, në muzeun e Shkupit. “Në mbështetje të këtyre dy shembujve që prura nga specialistët e vendit të tyre, unë pata rastin vitin e kaluar të shoh rezultatin e kërkimeve në kalanë e Shkupit dhe në kalanë e Ohrit. Dy qendra të mëdha antike, parasllave në tërë kuptimin e vet, sepse për informacion duhet të kujtojmë që sllavet e parë, ose bullgarët më mirë, se kështu quhen sllavet bullgare, vijnë në shekullin 6-7 pas Krishtit. Kanë zbuluar jo me shtresa vetëm të vona të mesjetës, ose të periudhës sllave të hershme po kanë zbuluar shtresa të pasura kulturore të epokës së hekurit", - vijon Korkuti.
Prof. Rahimi: Nuk jam pjesë e projektit
Profesori Shukri Rahimi, i cili figuron si redaktor në enciklopedinë e parë maqedonase, përgënjeshtron përfshirjen e tij në punimin e këtij projekti famëkeq për shqiptarët. Në një intervistë për ALSAT, Rahimi tha se do të ngrejë padi penale ndaj akademikut Bllazhe Ristosvski dhe ndaj Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, për keqpërdorim dhe përbaltjen e emrit të tij,dhe për më tepër, për akuzat se ka redaktuar historinë e shqiptarëve dhe për atë ka marrë edhe honorare. “Do të bëjë një denoncim gjyqësor penal kundër Bllazhes, por edhe kundër redaksisë në përgjithësi, që as nuk më kanë konsultuar edhe e kanë futur atë ashtu siç është. Unë plotësisht distancohem nga ajo që ka deklaruar Bllazhe Ristovski se paskam qenë përgjegjës për historinë shqiptare në enciklopedinë e Maqedonisë, për arsye se nuk kam qenë anëtarë i redaksisë e as që kam shkruar ndonjë punim për enciklopedinë”, - thotë Shukri Rahimi, Prof. Dr i Historisë. Shkuri Rahimi bën të ditur se ka dhënë dorëheqjen nga akademia që nga mbledhja e dytë e saj,dhe ka bashkëpunuar vetëm në hartimin e librave shkollorë, ku historia shqiptare është prezantuar denjësisht.