Brenda dy vitesh, shkollat ngrohje me panele diellore
Brenda dy vitesh në çerdhet, kopshtet dhe shkollat e kryeqytetit do të ndryshojë sistemi i ngrohjes. Një projekt i Bashkisë së Tiranës, në bashkëpunim me BERZH-in do të çojë në ndërhyrjen në sistemet e ngrohjes, termoizolimit, dritaret, dyert dhe reduktimin e lagështisë së këtyre subjekteve.
Projekti
Përmirësimi i sistemit të ngrohjes bënë pjesë në “projektet e komfortit”, pjesë e rëndësishme e politikave të Bashkisë së Tiranës, sidomos në fushën e arsimit parauniversitar, që ndikon direkt tek fëmijët tanë dhe e ardhmja e këtij vendi. Burime pranë bashkisë sqarojnë se “këto projekte synojnë krijimin e një mjedisi të përshtatshëm dhe cilësor për kryerjen optimale të një procesi edukativo-mësimor, sipas standardeve që aplikohen në të gjitha vendet evropiane”.
Kështu bëhet e ditur se një ndër prioritetet më të rëndësishme në programet afatmesme të investimeve të bashkisë 2009-2011 është instalimi i sistemit qendror të ngrohjes dhe ftohjes në të gjitha çerdhet, kopshtet dhe shkollat në kryeqytet. Të gjitha këto ndërhyrje të rëndësishme do të realizohen në mënyrë të studiuar, duke përmirësuar eficencën e energjisë në këto objekte, si dhe duke shfrytëzuar burimet alternative të saj, siç është për shembull energjia diellore.
Ekspertë të huaj që punojnë për Programin e Auditit të Energjisë, si dhe ekspertë shqiptarë, kanë realizuar vlerësimin e eficencës së shfrytëzimit të energjisë në disa objekte publike arsimore, të cilat kanë një sistem qendror ngrohjeje dhe në disa të tjera, të cilat pritet të ndërhyhet. Grupi i punës ka vlerësuar shkollat “Hasan Prishtina”, “Mihal Grameno”, “Dora D’Istria” dhe “Ismail Qemali”, kopshtet 52, 56, 18 dhe nr. 6, si dhe çerdhet nr. 8, 10 dhe 50. Në këtë fazë, ky grup ekspertësh ka pasur takime edhe me ata që mirëmbajnë sistemet e ngrohjes, Drejtorinë e Punëtorëve të Qytetit Nr. 3, si dhe me drejtues të Bashkisë së Tiranës.
Në përfundim, ekspertët do të dorëzojnë një raport vlerësues për këto objekte, raport i cili do të jetë baza e ndërhyrjes së mëtejshme, e cila do të sjellë një situatë krejt ndryshe të përdorimit të energjisë në to. Ndërkohë, Bashkia e Tiranës po sheh mundësinë e instalimit të paneleve diellore në disa objekte, me qëllim shfrytëzimin e kësaj energjie për ngrohje. Nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës do të fillojë së shpejti rikonstruksioni i plotë i 6 çerdheve te tjera, si dhe i disa kopshteve dhe shkollave.