E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mos u dorëzoni!

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Valton Beqiri, ka thënë se njëra ndër prioritetet kryesore të kësaj ministrie gjatë vitit 2009 ka qenë ndërkombëtarizimi i sportit kosovar.

Këtë koment, Beqiri e ka bërë të enjten në konferencën e fundit për këtë vit, të mbajtur në Muzeun e Kosovës në Prishtinë, ku është prezantuar raporti i punës së bërë nga MKRS-ja gjatë vitit 2009.

Mirëpo, me gjithë angazhimin e kësaj ministrie gjatë vitit që po e lëmë pas, asnjë federatë sportive kosovare nuk ia ka dalë të ndërkombëtarizohet, përkundër tentativave të shumta.

Por, me këtë rast, sipas ministrit Beqiri, përgjegjësinë e dështimit për mosndërkombëtarizimin e asnjë federatë kosovare nuk e bart Ministria, të cilën ai e drejton.

Mosanëtarësimin e asnjë federate kosovare në federatat përkatëse ndërkombëtare, Beqiri e arsyetoi me faktin se kjo çështje është e politizuar.

Madje ministri kosovar i Sportit tërthorazi bëri me dije se një pjesë të përgjegjësisë së këtij dështimi e bartin edhe vetë udhëheqësit e federatave kosovare. Ai shprehu dyshimin e tij se ekziston mundësia që federatat sportive kosovare statutet e tyre nuk i kanë të hartuara ashtu siç kërkohet nga federatat përkatëse ndërkombëtare.

“Çështja e ndërkombëtarizimit nuk varet vetëm nga vullneti dhe dëshira e Ministrisë, por varet edhe nga rrethanat politike në federatat e caktuara, posaçërisht në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar”, tha ministri i Sportit.

“Por, kjo varet shumë edhe nga angazhimi i vetë federatave tona sportive, do të thotë sa i kanë ato të rregulluara statutet e tyre në bazë të statuteve të federatave përkatëse ndërkombëtare dhe natyrisht federatat tona duhet ta dinë adresën e saktë se ku duhet të lobojnë”, deklaroi ai.

Ministri Beqiri tha se Ministria e tij i ka kryer të gjitha obligimet që i kanë takuar rreth ndërkombëtarizmit të sportit kosovar.

“Departamenti i Sportit e ka pasur prioritet ndërkombëtarizimin e sportit. Në këtë aspekt ju e dini se kemi marrë pjesë me stemën e Kosovës në ‘Sport accord’. Po ashtu, kemi marrë pjesë në një konferencë tjetër për sport në Malajzi. Ne i kemi përkrahur të gjitha kërkesat e federatave sportive kosovare, të cilat kanë pasur të bëjnë me lobimin për ndërkombëtarizim”, shtoi ai.

Megjithatë, Valton Beqiri tha se udhëheqësit e sportit kosovar nuk duhet të dorëzohen, por të vazhdojnë me punë deri në arritjen e synimeve.

“Edhe pse në këtë vit nuk është ndërkombëtarizuar asnjë federatë e jona, unë konsideroj se ne nuk duhet të zhgënjehemi me këtë fakt. Nuk është vetëm sporti që po has në kësi vështirësish, sepse e njëjta po ngjan edhe në disa fusha tjera. Ne duhet të mos ndalemi, por të vazhdojmë punën tonë dhe ta çojmë deri në fund”, përfundoi ai.

Deri më tani shumë federata kosovare kanë aplikuar për pranim në federatat përkatëse ndërkombëtare, por refuzoheshin nga këto të fundit, kryesisht me arsyetimin se Kosova nuk është anëtare e OKB-së dhe se Komiteti Olimpik i Kosovës nuk është anëtar i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.

Pas kësaj, udhëheqësit e federatave deklaronin se kjo çështje është e politizuar dhe kritikonin institucionet më të larta shtetërore, me arsyetimin se Qeveria e Kosovës nuk po i ndihmon ndërkombëtarizimin e sportit.

Por, këto akuza i pat hedhur poshtë zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, i cili ka thënë për Express se qeveria e ka ndihmuar sportin kosovar drejt ndërkombëtarizimit dhe se do të vazhdojë ta ndihmojë, ndonëse, sipas Krasniqit, kjo nuk varet nga vullneti i Qeveris së Kosovës.

Megjithatë, zyrtarët e kësaj ministrie potencuan se gjatë këtij viti ia kanë dalë ta projektojnë Ligjin për sponsorim, renovimin e 6 palestrave sportive, fillimin e ndërtimit të dy palestrave sportive, ndërtimin e katër poligoneve sportive dhe dhënien e shpërblimeve për sportistë të dalluar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›