Mos u trembni nga dordolecët e pushtetit!
Gazetari dhe komentatori i njohur i gazetës TemA, Bledi Mane, është fyer dhe kërcënuar publikisht në qytetin tij në Përmet, nga Komisari i Policisë së qytetit, Mithat Havari. Siç ka raportuar vet gazetari, por dhe dëshmitarë në vendngjarje, Havari ka sulmuar gazetarin, ndërkohë që në qytet zhvillohej një aktivitet kulturor, ideuar dhe drejtuar nga gazetari Bledi Mane. Gjuha dhe fjalori fyes ndaj gazetarit, dhe referencat tek shkrimet e tij kritike për qeverinë, përbëjnë një shqetësim serioz të politizimit ekstrem të policisë shqiptare kundër lirisë së fjalës dhe një standard primitiv për qeverinë shqiptare, e cila synon të bëjë vendin kandidat për anëtare në Bashkimin Evropian Gazeta TemA 17 Gusht, 2012
Ky ishte lajmi qe lexova sapo hapa Fb ku ajo pjese e miqve qe deshiron lirine e kishte publikuar kete lajm. Shteti ofendues nuk e duron individin: që nuk dëshiron të jetë zëdhënës i shumicës së kënaqur; që nuk e aprovon gënjeshtrën e thënë para syve; që dëshiron të jetë UNË karshi NE; që dëshiron të jetë qytetari përballë ushtarit; që është kundër fuqisë së madhe të përqendruar në duart e shtetit; që nuk beson se ka njeri të aftë që mund të vendosë për fatin e njerëzimit apo një populli; që është për evolucion dhe nuk i beson filozofisë së barazisë; që nuk honeps retorikën revolucionare, sepse revolucioni, sikurse thotë Berdjaevi, është braktisje e Zotit, armiqësi me shpirtin e lirë dhe mungesë gjenialiteti; që është kundër kontrollit të shtetit mbi kulturën, shkencën, arsimin, shoqërinë civile; që nuk honeps çinovnikët e emëruar nga lart; që beson se monopoli mbi pushtetin është më i rrezikshëm se sa monopoli mbi kapitalin; që e konsideron si mik çdo të dënuar politik dhe është kundër çdo urrejtjeje ndaj kundërshtarit politik; që është kundër elitave infantile politike, të cilat duke akuzuar dhe nxirë tjetrin duan të paraqiten si të virgjra; që është pro pluralizmit dhe dyshues i përhershëm; që nuk pranon të jetë objekt i veprimeve historike, por subjekt i fatit të tij; që di ta dallojë Njeriun e Fuqishëm dhe Njeriun e Madh; që kërkon vetëmbrojtje shoqërore dhe qytetare; që përkrah rezistencën e cila nuk përmban dhunë; që ka guxim të kundërshtojë burokracinë shtetërore, ushtarake dhe policore; që beson te kultura evropiane e cila sdo të gjejë paqe për sa kohë shpirti i pluralizmit nuk do të shpërndahet në të gjithë vendet (Konrad); që beson në demokraci – si mundësi që njeriu të shfrytëzojë arsyen e tij dhe si vetëmbrojtje civile nga funksionarët; që ka respekt për individin, mendimin e tij origjinal dhe për të drejtën e një jete private të padhunueshme; që beson në vlerën e pakufishme të njeriut Stejs që kërkon krijimin e një administrate civile, pluralizëm politik legjitim, mbrojtje të pakicës opozitare; që politikën e konsideron si arritje e paqes ndërmjet njeriut dhe shoqërisë, ashtu sikurse e koncepton Tanze. Shtetit ofendues i duhen njerëz që: shtiren se gjoja nuk u intereson asgjë; që nuk përzihen në punën e të mëdhenjve, dhe gjithmonë u japin të drejtë bartësve të pushtetit; që kënaqen me bukën e përditshme të ndarë me doza, sa për mbijetesë; që me çdo kusht e mbrojnë lëkurën personale; që heshtin përballë një ekrani ku shumëfishohet gënjeshtra, mashtrimi…; që gjithnjë kujdesen mos digjen nga pakujdesia; që thonë atë që dëshiron ta dëgjojë prijësi. Shteti ofendues nuk dëshiron vetëdije plurale por totalitare mbi identitetin. E pengojnë identitetet partikulare dhe kolektive; i pengon laramania shumëkombëtare, shumëgjuhësore, shumëkulturore, shumëdimensionale; dëshiron popullatë njëgjuhësore; irritohet nga prania e gjuhës dhe kulturës së huaj; ndjen frikë nga forca e atij që flet gjuhë tjetër, prandaj e dëshiron asimilimin e tij. Shteti ofendues stimulon dominimin kulturor. Tjetrit e sheh si armik. Shteti ofendues është kundër vetëdijes. Sepse: vetëdija është e hapur ndaj tjetrit; nuk e dëshiron gëlltitjen e tij; kënaqet me dallimet kulturore. Shteti ofendues kërkon përfaqësues të tjetrit vetëm sa për të mohuar akuzat se nuk respekton dallimet. Shteti ofendues i mundëson tjetrit të ketë dofarë institucionesh që do të udhëhiqen nga njerëzit e kontrolluar nga ai; pa qenë funksionale. Shteti ofendues shprehet kundër çdo lloj nacionalizmi dhe vetë udhëhiqet nga nacionalizmi institucional. Shteti ofendues i lejon tjetrit organizime tubimesh folklorike, që përfundojnë me eufori dhe harrohen shpejt, por nuk i lejon institucione stabile. Shteti ofendues i prodhon tjetrit patriotë dhe tradhtarë. Shteti ofendues nuk shqetësohet kur tjetri e formëson vetëdijen sipas një logjike tribale. Ai tmerrohet kur krijon një vetëdije institucionale. Shteti ofendues pengon tjetrin që të konsolidojë demokracinë brenda llojit të tij, sepse kështu e kontrollon më lehtë. I jep pushtet për ta sunduar vetveten. E stimulon për ta penguar autonominë e sferave. Sepse shteti ofendues nuk dëshiron pavarësi. Ai dëshiron të jetë i kudondodhur. Dhe asgjë mos ti dalë jashtë kontrollit. Unë jetoj në një shtet ku nuk ka autonomi sferash; ku kultura, arsimi, shkenca, universiteti janë të ngulfatur nga politika. Jetoj në një shtet ku kritikuesit e qeverisë përballen me sanksione të ndryshme ose dëbohen në stilin e Sollzhenjicinit. Mendimi kritik nuk konceptohet ashtu sikurse e koncepton Vladimir Tismaneau kur thotë: Falë intelektualëve, qytetarët e thjeshtë(…)artikulojnë idenë e së mirës publike dhe sugjerojnë shtigjet për ta përvetësuar atë. Disidenca është një ushtrim për zhvillimin e ndjenjës qytetare. Jetoj në një shtet ku servisi publik, i quajtur shpesh servili publik, e quan kryeministrin birin më të madh të kombit dhe vendit, ku emetohen lajme të tipit: së shpejti do të ndiqni xhirimet për tradhtinë e X… Jetoj në një shtet ku kryeredaktorja e servisit publik udhëheq fushatat zgjedhore të partisë shqiptare në pushtet; ish zëvendës drejtori bëhet deputet, ish- kryeredaktori funksionar shtetëror. Jetoj në një shtet ku qeveria, si në Romën antike, çdo ditë organizon spektakle dhe çdo muaj shpall festa për ngjarje me të cilët do të tallej historia. Jetoj në një shtet ku ndodhin ndryshime të shpejta në kulturë, për të prodhuar një histori të munguar, e cila tentohet që të sajohet me shpejtësi marramendëse pa e marrë në konsideratë përmasën historike dhe mistike të komb formimit, as përmasën kulturore, brenda së cilës funksionojnë dy forca në dukje kundërshtuese, por në thelb komplementare: forcën konservatore që na lidh me të kaluarën, me urdhrat e të parëve dhe forcën krijuese që i shërben të sotmes dhe të ardhmes.
