E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ditët vendimtare të Bashkimit Europian

18-08-2012 / Nga Ilirian Dahri

po afron muaji shtator dhe bashkë me të do të mbërrijnë edhe momentet më të vështira për të ardhmen e monedhës euro. Ndërkaq janë bërë krahasime të ndryshëm ku spikat padyshim ai se muaji shtator mund të jetë si një lloj 11 shtatori për euron dhe ekonominë europiane. Në fakt vetëm një ditë më pas në datën 12 shtator do të prononcohet Gjykata kushtetuese gjermane mbi çështjen e shpëtimit të shteteve dhe për “fiscal compact” që është edhe pakti i ri i bilancit europian. Padyshim pa u marrë drita jeshile nga gjykatësit e Karlsruhe-s nuk do të jetë e mundur që të hyjë në fuqi instrumenti për të zvogëluar krizën e debisë sovrane. Gjithçka është shtyrë për në shtator madje flitet se më datë 3 shtator mund të ketë një takim të jashtëzakonshëm të Eurogrupit ku do të flitet sidomos për Spanjën e cila nga ana e saj është duke kërkuar një paketë të dytë ndihmash për sektorin financiar por nga ana tjetër do të flitet natyrisht edhe për vendin fqinj të Greqisë. Sidoqoftë Brukseli e ka përgënjeshtruar një takim të tillë nëpërmjet zëdhënësit të Komisionit europian, Oliver Bailly i cili ka dashur që të saktësojë se: “Nuk jemi në dijeni për një takim të jashtëzakonshëm për datën 3 shtator”. Në të njëjtën kohë kancelarja e vendit, që aktualisht paraqitet më mirë nga vendet e tjera të Bashkimit Europian sipas të dhënave të institutit gjerman të statistikave, Angela Merkel ndërsa ka folur për Europën dhe sfidat e saj ka vënë theksin tek Greqia duke nënvizuar se nuk do të pranojë asnjë shtyrje të Greqisë dhe se ky vend duhet të respektojë angazhimet e marra. Në fakt vetëm një ditë më parë Financial Times kishte shkruar në një artikull të saj se kryeministri, Antonis Samaras ishte gati për të kërkuar pak më shumë kohë, deri në vitin 2016, për angazhimet e ndërmarra nga Greqia me europianët. Më hollësisht flitej për një takim që kryeministri grek do të  do të kryejë më 24 gusht në Berlin dhe një ditë më pas në Paris ku do të takohet respektivisht me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe me presidentin Hollande. Si për të mbyllur çdo lloj shprese për kryeministrin Samaras zëdhënësi i kancelares gjermane, Steffen Seibert ka deklaruar se për qeverinë gjermane është e vlefshme marrëveshja që Athina ka me Bashkimin Europian, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Qendrore Europiane dhe nga ana tjetër raporti me trojkën do të jetë në bazë të vendimeve që do të merren në të ardhmen. Ndërkaq trojka (Bashkimi Europian – Banka Qendrore Europiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar) do të jenë përgjatë të gjithë muajit shtator në Athinë për të vlerësuar nga afër rastin e Greqisë dhe angazhimet e marra nga qeveria greke. Një datë tjetër për t’u shënuar për fatet e eurozonës dhe Greqisë është 8 tetori datë kjo në të cilën Eurogrupi do t’i kushtohet krizës greke. Ndërkaq më 6 shtator do të pritet edhe një mbledhje e Eurogrupit ku do të pritet me interes konferenca e shtypit e presidentit të Bankës Qëndrore Europiane, Mario Dragi. Presidenti Dragi, më 3 gusht, e ka bërë të qartë se ndërhyrja e Bankës Qëndrore Europiane në tregjet do të bëhet për të ulur rendimentin e debisë për vendet si Spanja dhe Italia duke ngritur edhe komitetet teknike për t’u marrë me detajet. Dhe në takimin e datës 6 shtator do të shihen pikërisht këto detaje por mund të priten edhe masa të tjera konkrete siç mund të ishte ajo e uljes së taksave të interesit. Në këtë mënyrë afron dhe 11 shtatori, datë kjo në të cilën Komisioni europian do të paraqesë në Parlamentin Europian propozimin për krijimin e një autoriteti të vigjilencës bankare që mund të realizohet brenda vitit. Krahas kësaj axhende të ngjeshur (më 14-15 shtator do të jetë takimi Eurogrup – Ekofin) po aq e ngjeshur do të jetë  edhe axhenda politike. Do të vëzhgohet koalicioni qeverisës në Greqi sidomos në momentin kur duhet të miratojë shkurtime që arrijnë në 11,5 miliardë për vitet 2013 -2014. Ndërkaq për vendin fqinj të Italisë po vijnë deklarata të rëndësishme nga vetë Komisari europian për Çështjet ekonomike Olli Rehn i cili që nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka deklaruar se presidenti i Këshillit të Ministrave të Italisë, Mario Monti “ka nisur aksione shumë të rëndësishme për të forcuar reformat strukturore”. Deklarata e Olli Rehn  ka dashur që të japë një mesazh të qartë për opinion publik amerikan se Bashkimi Europian po bën gjithçka është e mundur për të shpëtuar euron. Në intervistën e tij, dhënë televizionit Cnbc, Rehn ka deklaruar më tej se reforma e punës ka qenë thelbësore për të ndihmuar “dhe për të stabilizuar konkurrencën ekonomik të vendit.  “Jemi duke punuar fort për të tejkaluar krizën. Në vjeshtë, në tetor ose më përpara, do të ketë një propozim legjislativ të bankave dhe të institucioneve financiare të eurozonës”. I pyetur për një efekt të mundshëm domino mbi vendet si Spanja dhe Italia, Komisari europian për Çështjet ekonomike ka nënvizuar se nuk donte që të fliste për këtë por gjithsesi ka shtuar se Bashkimi Europian është i gatshëm për të reaguar.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›