E Diel, 1 Nëntor 2026

Mosdakordësi në Konferencën e Kryetarëve për komisionin hetimor “KAYO”, Balla: Nuk plotëson kriteret kushtetuese

TIRANË, 17 shtator/ATSH/ Konferenca e Kryetarëve nuk arriti dakordësi për kërkesën e paraqitur nga 41 deputetë të grupit parlamentar të Partisë Demokratike dhe të Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit, “Për kontrollin e ligjshmërisë të veprimtarisë së shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a., në drejtim të marrëveshjeve të bashkëpunimit, prodhimit, importit, eksportit dhe tregtimit të armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake””. Pas diskutimeve, Konferenca e Kryetarëve nuk arriti mirëkuptimin dhe vendosi që çështja t’i kalojë seancës plenare.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, u shpreh se kërkesa për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar lidhur me shoqërinë “KAYO” Sh.A. nuk përmbush kriteret kushtetuese dhe ligjore të parashikuara për ngritjen e një komisioni të tillë.

Sipas Ballës, nga pikëpamja përmbajtësore, kërkesa nuk individualizon një “çështje të veçantë”, siç kërkohet nga Kushtetuta, pasi objekti i hetimit është konceptuar në mënyrë tepër të gjerë dhe përfshin një sërë çështjesh të ndryshme, pa përcaktuar qartë faktet konkrete që duhet t’i nënshtrohen hetimit parlamentar.

Ai theksoi se në kërkesë nuk janë identifikuar veprime apo mosveprime konkrete të zyrtarëve publikë, aktet apo kontratat që pretendohet se janë të paligjshme, si dhe periudha kohore ku duhet të shtrihet hetimi.

Sipas Ballës, objekti i propozuar synon kontrollin e përgjithshëm të veprimtarisë së shoqërisë dhe jo hetimin e një çështjeje të individualizuar me rëndësi të veçantë publike.

Balla argumentoi gjithashtu se tetë pikat e paraqitura në objektin e hetimit kanë natyrë heterogjene, duke përfshirë marrëdhënie kontraktuale, veprimtari prodhuese dhe tregtare në fushën ushtarake, fonde buxhetore, dyshime për trafik armësh dhe detyrime ndaj NATO-s.

Sipas tij, një shtrirje e tillë nuk lejon përcaktimin e qartë të kufijve të hetimit dhe nuk përmbush standardin kushtetues për ekzistencën e një çështjeje të veçantë.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së theksoi se kërkesa nuk paraqet indicie konkrete dhe të mjaftueshme për paligjshmëri. Ai nënvizoi se vendimet e Këshillit të Ministrave, krijimi i shoqërive të përbashkëta nga “KAYO” Sh.A., raportimet mediatike apo audiopërgjimet e publikuara nuk përbëjnë në vetvete prova të mjaftueshme për të krijuar një dyshim të arsyeshëm për veprimtari të paligjshme.

Sipas Ballës, ngritja e një komisioni hetimor parlamentar nuk mund të bëhet për të mbledhur informacion me qëllim zbulimin e mundshëm të paligjshmërive, por duhet të mbështetet paraprakisht në të dhëna dhe indicie konkrete që justifikojnë kontrollin parlamentar.

Ai ngriti shqetësimin edhe për mundësinë e mbivendosjes së hetimit parlamentar me verifikimet e nisura nga Prokuroria e Posaçme lidhur me audiopërgjimet e publikuara në media.

Sipas Ballës, një situatë e tillë mund të krijojë konflikt kompetencash dhe të cenojë parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve.

Në përfundim, Balla u shpreh se, megjithëse kërkesa plotëson kriterin formal të numrit të deputetëve firmëtarë, ajo nuk përmbush kriteret përmbajtësore kushtetuese dhe ligjore për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar.

Sipas tij, mungesa e individualizimit të një çështjeje të veçantë, objekti i gjerë dhe i paqartë, mungesa e indicieve konkrete për paligjshmëri dhe rreziku i ndërhyrjes në kompetencat e organeve të drejtësisë nuk krijojnë bazën e nevojshme për ushtrimin e kontrollit hetimor parlamentar në formën e kërkuar.

Ndërkaq, në debatin gjatë mbledhjes, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi deklaroi se kompania KAYO ka shpenzuar 34 milionë euro nga buxheti i shtetit pa prodhuar asgjë dhe se çdo shqiptar do të duhet të dijë se si i mori ato para Ron Yefet.

Sipas tij, kjo del hapur në një audiopërgjim të publikuar në media.

“Çdo komision hetimor ka për qëllim mbledhjen e informacionit. Ndryshe, për çfarë do të duhej komisioni? Në kërkesë kemi dhënë të gjitha informacionet dhe indiciet. Është fakt që KAYO deri tani ka shpenzuar 34 milionë euro nga buxheti i shtetit pa prodhuar asgjë. Ne nuk dimë çfarë ka përfituar shteti? Çfarë aktiviteti ka?”, shtoi ai.

/m.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›