E Shtunë, 31 Tetor 2026

AAK kërkon konstituimin e Asamblesë në Gjilan

Drejtues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Gjilan porositën sot Komisionin Qendror Zgjedhor që të mos presë më, por t’i shpallë zgjedhjet për 31 janar edhe për Gjilan. Kjo parti opozitare gjithashtu kërkoi konstituimin sa më të shpejtë edhe të Kuvendit Komunal të Gjilanit.

Ahmet Isufi, nënkryetar i AAK-së dhe kryetar i degës së kësaj partie në Gjilan, duke folur për procesin zgjedhor në Gjilan, tha se kjo komunë po përdoret për testime, gjë që është e gabuar, “sepse testimet e tilla deformojnë demokracinë”.

Ai tha se po pritet që të bëhen zgjedhjet në Prizren e Lipjan dhe pastaj “kusuritja” të ndodhë me Gjilanin, “gjë që është një fyerje tjetër që i bëhet Gjilanit dhe një anashkalim i një qendre rajonale siç është kjo komunë”.

Sipas tij, fajtor kryekëput për këtë gjendje është KQZ, e cila nuk respektoi rekomandimin e KZAP-s- për përsëritjen e zgjedhjeve edhe në Gjilan, për shkak të parregullsive në garën e balotazhit më 13 dhjetor.

I pari i Aleancës në Gjilan, ka thënë se Gjilani ka nevojë që t’i ketë institucionet funksionale, të ketë një angazhim më të madh, sepse tani funksionon vetëm administrata pa udhëheqje politike.

“Është momenti i fundit që KQZ të marr vendim për përsëritjen e zgjedhjeve në Komunën e Gjilanit dhe në balotazh të shkojnë dy kandidatët, ku koalicioni i djathtë përkatësisht kandidati i saj Fatmir Rexhepi, do ta ketë mbështetjen e Aleancës”, ka thënë Isufi.

Udhëheqësi i Aleancës në Gjilan kërkoi edhe konstituimin e Kuvendit Komunal të Gjilanit, pasi siç tha ai, mbështetur në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, edhe pse është bërë certifikimi i këshilltarëve komunalë, deri sot nuk është thirrur Kuvendi, ashtu siç parashihet me ligj, që kjo të bëhet brenda 15 ditësh nga certifikimi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›