Moske bora dhe ngricat shkaktojne kaos
Aeroporti i Moskës u mbyll krejtësisht për shkak të reshjeve të dendura të dëborës në kryeqytetin rus. Për më tepër, moti i keq dhe shirat e akullt kanë shkaktuar “blackout” në një zonë të mirë të kryeqytetit, duke lënë në errësirë më shumë se 100 mijë persona në terminalet e aeroportit më të madh në vend. Dy aeroportet e tjera në kryeqytet kanë funksionuar rregullisht. Por ajo që ka befasuar më shumë rusët ka qenë shiu i akullt që ka pushtuar vendin. Ky fenomen i pazakontë i ka bërë të pakalueshëm trotuaret. Kryetari i Bashkisë së Moskës i ka kërkuar moskovitëve të qëndrojnë në shtëpi. “Kushtet meteorologjike në kryeqytet kanë qenë shumë të vështira. Do t’u kërkojmë banorëve të jenë të kujdesshëm e të mos dalin jashtë shtëpive, pa pasur arsye të forta. Për shkak të temperaturave shumë të ulëta, gjatë rënies uji shndërrohet në akull”, tha një zëdhënës i bashkisë për agjencitë vendase të lajmeve. Sipas studiuesve të motit, koha me ngrica dhe me reshje të mëdha bore do të vazhdojë edhe në muajt e parë të vitit, kryesisht në të gjithë Europën Perëndimore dhe Veriore. Madje, shumë prej tyre thonë se ky do të jetë dimri më i ftohtë dhe më me ngrica që nga viti 1890. Temperaturat priten që për një kohë të gjatë të qëndrojnë nën zero natën gjatë periudhës së festave të fundvitit dhe ditën, në disa zona të shënohet një ngritje e lehtë. Shkencëtarët janë munduar të gjejnë një lidhje mes kësaj klime shumë të ftohtë dhe këtij dimri shumë të ashpër në Europë dhe shkrirjes së akujve në Arktik. Si pasojë, do të ketë periudha të gjata ngricash, që me kalimin e viteve do të shoqërojnë dimrat tanë. Sipas tyre, shkak për këtë është ngrohja globale që ka shkrirë akujt e oqeaneve dhe deteve në Veri të planetit, duke rritur shanset e dimrave më të ftohtë në të gjithë Europën. Për shkak të motit të keq prej kohësh aeroportet e shumë vendeve të Europës Veriore janë bllokuar thuajse krejtësisht. Së shpejti pritet të bëhet bilanci i udhëtarëve që nuk arritën të shkonin dot në destinacionin e duhur e që për shkak të pezullimit të fluturimeve i kaluan Krishtlindjet në aeroport.