E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turqia kerkon pajtimin me Izraelin

Që nga incidenti ndaj flotiljes, marrëdhëniet mes dy vendeve janë në krizë

Turqia ka përforcuar gatishmërinë për sheshimin e krizës diplomatike me Izraelin, pas sulmit të përgjakshëm ndaj flotiljes humanitare për Rripin e Gazës në majin e këtij viti. “Turqia do të pajtohet me Izraelin”, citohet ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu nga agjencia turke e lajmeve, “Anadolu”. “Por më parë Izraeli duhet të kërkojë falje dhe të paguajë dëmshpërblimet përkatëse”. Në sulmin ndaj flotës që synonte dërgimin e ndihmave humanitare për Rripin e Gazës humbën jetën nëntë aktivistë turq në Detin Mesdhe. Izraeli deklaroi atëherë se ushtarët e tij ishin sulmuar dhe kishin qëlluar për vetëmbrojtje. Që nga ky incident marrëdhëniet mes dy vendeve janë në krizë.

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Ahmet Davutoglu, ka thënë se qeveria e tij synon rindërtimin e marrëdhënieve tejet të tensionuara me Izraelin, por theksoi se Izraeli duhet të kërkojë ndjesë për sulmin kundër një anijeje ndihmash të nisur drejt Gazës në muajin maj, ku u vranë nëntë shtetas turq.

“Ne duam të rindërtojmë marrëdhëniet dypalëshe dhe të mbrojmë të drejtat tona. Nëse miqësia jonë me Izraelin do të vazhdojë, ajo duhet të bazohet te falja dhe kompensimi. Nëntë qytetarët tanë u vranë në maj në ndërmarrjen e një sulmi humanitar dhe këtë të vërtetë nuk mund ta mohojë askush”, citohet ministri.

Sulmi shkaktoi një reagim të ashpër në Turqi, por Suat Kiniklioglu, një deputet i partisë në pushtet AKP, tha për BBC-së se një marrëveshje pajtimi do të pranohej nga publiku turk.

“Që prej kohës kur Turqia e ndihmoi Izraelin me dy aeroplanë për shuarjen e zjarreve në Veri të vendit, po mbizotëron një atmosferë më e ngrohtë. Nga të dyja palët, kjo klimë po shihet si një mundësi për t’i rregulluar marrëdhëniet pas incidentit me flotiljen”, deklaroi Kiniklioglu. “Bisedimet mes Ministrisë sonë të Jashtme dhe zyrtarëve izraelitë po vazhdojnë, por deri më tani nuk kemi gjetur ndonjë zgjidhje. Shpresoj që ajo të gjendet shpejt”, tha ai. Komentet e tij përkojnë me kthimin në Stamboll të anijes së ndihmave Mavi Marmara, e cila u prit me brohoritje nga qindra qytetarë që valëvisnin flamuj turq dhe palestinezë. Fotografitë e aktivistëve të vrarë ishin ekspozuar në anët e anijes. Deri më tani, Izraeli ka këmbëngulur se vrasja e aktivistëve nga komandot kishte qenë një akt vetëmbrojtjeje. Pas deklaratave të shefit të diplomacisë turke, Davutoglu, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Izraelit tha se po zhvilloheshin bisedime të fshehta dhe shprehu besimin se marrëdhëniet normale diplomatike do të rinisnin së shpejti. Ndërkaq një zyrtar tjetër i Ministrisë së Jashtme izraelite, Yigal Palmor, u shpreh se përmirësimi i marrëdhënieve mes dy vendeve ka qenë gjithmonë prioritet i tyre. Marrëdhëniet mes dy vendeve kanë qenë gjithmonë të mira, por që prej këtij incidenti ato u tronditën thellë. Që prej majit, Turqia pret që Izraeli t’i kërkojë falje për sulmin ndaj flotiljes “Freedom”, ndërsa Izraeli këmbëngul se në anije kishte armë dhe mjete të tjera luftarake për të ndihmuar Hamasin.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›