Senati i UT-se Kuponi i studentit na diskriminon
Projekti i shpërndarë pak kohë më parë për shqyrtim, lidhur me financimin e universiteteve, publike e private, nuk është pranuar nga universitetet publike. Konkretisht një shkresë e dërguar në Ministrinë e Arsimit nga senati i Universitetit të Tiranës, ndër të tjera, një nga shqetësimet kryesore lidhet me transparencën dhe faturën e shpenzimeve që do të ketë ky projekt i dërguar për shqyrtim nga universitetet. Në skemën e propozuar paraqiten disa nisma, të cilat kanë efekte financiare të drejtpërdrejta në buxhetin e shtetit. “Është e papranueshme që një propozim rreth një skeme financimi të mos ketë një faturë reale se sa kjo skemë i kushton buxhetit të shtetit. Në materialin e propozuar përmendet që MASH do të investojë në infrastrukturën e universiteteve publike. Do të mbështesë financiarisht universitetet publike të cilat nuk arrijnë të sigurojnë të ardhura të mjaftueshme nëpërmjet skemës së propozuar. Të gjithë studentët në arsimin e lartë do kenë akses në kredi të subvencionuara nga shteti”, thuhet në shkresë. Sipas grupit të punës, profesorëve që kanë analizuar projektin paraprak të financimit të universiteteve, thuhet se ministria do mbështesë fuqimisht kërkimin në universitete. “Është evidente që kostoja financiare për të realizuar këto premtime është shumë e madhe dhe me të drejtë shtrohet pyetja: Ku do të gjenden fondet për të mbështetur këto premtime? Gjithashtu, nëse evidentohen burime financiare të lira në buxhetin e shtetit për të financuar arsimin privat, mendojmë se arsimi privat parauniversitar, si detyrim kushtetues, mund dhe duhet të ketë prioritet për financim në krahasim me arsimin universitar”, sqaron grupi i punës në shkresë.
Sipas analizës, numri i studentëve që do të mbështeten nga kjo skemë do të jetë më i vogël se numri total i studentëve që do të shkojnë në arsimin e lartë. Për shkak se numri i studentëve që do të përfitojnë nga skema do të përcaktohet nga performanca në Maturën Shtetërore. “Kjo situatë do të krijojë probleme sociale të jashtëzakonshme, pasi këtu është duke u shkelur parimi i përdorur gjerësisht në Europë “Që të gjithë kanë shans të barabartë për t’u futur në arsimin e lartë, por ajo që i diferencon studentët nga njëri-tjetri është cilësia e universitetit ku ata pranohen dhe jo mundësia që ata kanë për të ndjekur arsimin e lartë”, nënvizojnë ekspertët në shkresë.