Sekretari Llazani: Shkurtimi i buxhetit ka ndalur kampionatin
Korab Llazani, Sekretari i Përgjithshëm i FSHB-së, deklaron se me rishikimin e buxheteve, federata e basketbollit e ka të pamundur të paguajë borxhin prej 4 milionë lekësh që ka ndaj gjyqtarëve
Kampionati i basketbollit ende nuk po nis dhe në FSHB janë të mërzitur për këtë situatë, pasi janë plot 600 vetë të lidhur ngushtësisht me këtë sport që janë paralizuar nga anormaliteti i këtij sezoni. Sekretari i Përgjithshëm i FSHB-së, Korab Llazani është tejet i shqetësuar për situatën dhe kerkon ndihmën e shtetit që ta ndihmojë federatën e bastkebollit që të shlyejë 4 milionë lekët që u detyrohet gjyqtarëve nga sezoni i shkuar. Gjithashtu, ai prezanton edhe projektin më të madh të kësaj federate, Qendrën Kombëtare të Basketbollit, e cila, sipas sekretarit Llazani, do të jetë në gjendje që të gjenerojë të ardhurat e basketbollit pa e detyruar këtë të fundit të trokasë çdo vit në dyert e shtetit.
Zoti Llazani, kampionati i basketbollit po has vështitrësi në këtë edicion…
Shkak për mosfillimin e veprimtarisë deri në këto ditë të nëntorit ka qenë mungesa e financave me të cilat Federata Shqiptare e Basketbollit të shlyente gjyqtarët për edicionin e shkuar. Kjo erdhi si pasojë e rishikimit të buxheteve që përfshin një periudhë të kampionatit kombëtar. Kjo periudhë na ka sjellë shumë anomali për shkak të përgjegjësive që ka FSHB për veprimtaritë ndërkombëtare siç janë eliminatoret e Kampionatit Europian për meshkuj dhe për femra. Intesitetin e zhvillimit të tyre si dhe shtrirjen në kohë e kostot për përmbushjen me sukses në standartet europiane të këtyre veprimtarive.
Përse nuk janë shlyer gjyqtarët?
Shteti shqiptar po i kushton një vëmendje të caktuar edhe sportit. Fakti që kryeministri i Shqipërisë caktoi një shumë prej 300 milionë lekësh për Kampionatin Botëror të Vaprimit në Mal që u zhvillua në Shqipëri, një aktivitet vetëm një ditor, imagjinoni sa i duhet federatës së baskëetbollit që lëviz 600 vetë në javë të zhvillojë një kampionat kombëtar që fillon në shtator dhe mbaron në maj. Ndërkohë, buxheti i parishikuar i federatës sonë ishte 12 milionë lekë. Kjo shifër është e pamjaftueshme për të përballuar këtë veprimtari dhe aq më tepër kur ka ndërhyrje, siç ishte rasti i rishikimit të buxheteve, çka krijon probleme jashtëzakonisht të mëdha.
A mund të na e sqaroni me shifra?
Këto anomali në këtë moment po sjellin zvarritje. Rishikimi i buxhetit na hoqi 2.2 milionë lekë nga buxheti i mëparshëm dhe në total zbrtija me vitin e shkuar kap shifrën e 5.5 milionë lekëve më pak, teksa ne aktualisht u detyrohemi vetëm gjyqtarëve 4 milionë lekë. Megjithatë, pa hyrë në shifra e në detaje, ajo që duhet bërë është të precizohet veprimtaria që do të mbështetet dhe të mos ketë ndërprerje të tilla, pasi krijohen hendikape që janë të panevojshme dhe që ndrikojnë negativisht në mbarëvajtjen e veprimtarive.
Ju keni burime alternative?
Me ndryshimet organizative që po bëhen, do të vijë koha që do të gjenerohen financa, por aktualisht ajo që do të doja unë të ndaja me publikun është kthimi i vëmendjes nga sporti si nga shteti ashtu edhe nga subjektet që dëshirojnë të kontribuojnë në sport. Duhet të kthehen pak nga sporti pasi drejtimi që ka marrë nuk është i mirë. Për këtë qëllim, ne kemi krijuar disa projkete për një imazh që do të ishte i mirë jo vetëm për basketbollin në veçanti, por për sportin në përgjithësi. Ne kemi një projekt të rëndësishëm që i kushtohet një Qendre Kombëtare të Basketbollit, të cilin presidenti Ponari ia ka servirur ministrit të Sporteve, zotit Bumçi. Kjo qendër presupozon krijimin e një shkolle të mirëfilltë me ambjentet e përshtatshme, që ne së bashku, me gjithë donacionet e ndryshme duam ta ngrejmë dhe do të jetë diçka dinjitoze jo vetëm për basketbollin. Është diçka e ngjashme me atë që është bërë në Kamëz me Qendrën Stërvitore të Ekipeve Kombëtare. Por ne jemi një federatë që nuk i ka mundësitë e federatës së futbollit. Ne duam të rritemi, duam të shpalosim ato vlera që ka sporti dhe duam të bëhemi një produkt i kapshëm me vlerë edhe për shikuesit edhe për shoqërinë.
Besoni se kjo qendër do të jetë e aftë të gjenerojë të ardhurat që juve ju nevojiten?
Neve na intereson që rininë ta shkëpusim nga kafenetë. Ta shkëpusim nga lojërat e fatit dhe nga problemet e tjera të kohës dhe ta orientojmë në drejtim të basketbollit. Maketi që unë kam paraqitur për Qendrën Kombëtare përbëhet nga tre ambjente që mund të shfrytëzohen njëkohësisht me një standart të caktuar dhe do të prodhojë të ardhurat që do t’i lejojë federatës të mos i kërkojë më shtetit. Do të jemi të aftë të zhvillohemi dhe të vetëfinancohemi, ta përdorim si model të zhvillimit. Kjo është ajo që ne pretendojmë.
Po për pallatin e sportit “Asllan Rusi” keni ndonjë projekt?
Tjetër gjë është pallati i sportit “Asllan Rusi” që është jashtë çdo standarti dhe ne gjobitemi rregullisht për çdo ndeshje ndërkombëtare me nga 3000 euro. Ne jemi shumë të varfër që të bëjmë pagesa të tilla. Sallën e kemi rigjeneruar, por nuk janë të standartit dhomat e zhveshjes. Në këtë pikë FIBA është shumë strikte dhe nuk toleron në mënyrë absolute. Pallati sportit mund të shndërrohet në një ambient sportiv bashkëkohor ku të ketë një pishinë olimpike, një sallë volejbolli dhe një palestër basketbolli. Por Tirana ka nevojë për diçka tjetër, një pallat sporti më të madh, por edhe shumë salla të tjera pasi duhet masivizuar sporti në shkallën e duhur.