Moszgjidhja e krizës, papjekuri

Grupi socialist në PE, Swoboda: çdo konflikt i brendshëm është një dëmtim i imazhit
çdo konflikt i brendshëm dhe sidomos bojkoti parlamentar është një dëmtim i imazhit të Shqipërisë para BE-së. Ky është vlerësimi i Hannes Swoboda, zv.president i grupit parlamentar socialist në Parlamentin Europian. Në intervistën e tij për “Dwelle”, Swoboda theksoi se është kundër bojkotit dhe se deputetët janë zgjedhur që të marrin pjesë në Parlament. “Këtë e kemi thënë edhe kur partia e Berishës e bojkotoi Parlamentin. Këtë e themi edhe tani. Së dyti, tani duhet të shikojmë se si mund të bashkëpunohet për të kapërcyer këtë bllokadë. Ky është tani një shans për kapërcimin e krizës. Berisha dhe qeveria e tij duhet të bëjnë propozime për Partinë Socialiste në opozitë dhe opozita duhet të mundohet që të kthehet në Parlament me një strategji për të bërë një opozitë të fortë. Dhe roli i opozitës është në Parlament”, theksoi Swoboda.
I pyetur nëse është e mundur hapja e kutive të votimit ai insistoi se “e mundur është gjithçka në se njeriu do, por në qoftë se gjykata ka vendosur se nuk ka diçka për t’u korrigjuar, atëherë vendimi i saj duhet pranuar, megjithëse njeriu nuk është i kënaqur”. Sido që të jetë, tha ai, grupet e mëdha duhet të shohin se si mund ta kapërcejnë këtë krizë. “Kjo nuk mund të kalojë në qoftë se qeveria qëndron vetëm në pozicionet e veta dhe opozita në të sajat, por duhet të gjendet një kompromis i përbashkët”, u shpreh zyrtari socialist.
“Ne nuk mund t’i zgjidhim problemet e brendshme. Në qoftë se një shtet nuk është në gjendje t’i zgjidhë vetë problemet e brendshme, ne nuk mund t’i zgjidhim ato nga jashtë. Ne mund të japim udhëzime, mund të kryejmë bisedime me ta, gjë që e kemi bërë shpesh, madje edhe unë personalisht. Por në fund të fundit është vetë shteti ai dhe po ashtu politikanët që duhet t’i zgjidhin problemet”, tha ai.
Sepse në qoftë se një shtet nuk i zgjidh vetë problemet, nënvizoi Swoboda, atëherë kjo do të thotë që ky shtet nuk është pjekur akoma për t’u bërë anëtar i BE-së. I pyetur se sa ndikon kjo situatë në procesin e anëtarësimit në BE, Swoboda argumentoi se “çdo konflikt i brendshëm dhe sidomos bojkoti parlamentar është një dëmtim i imazhit të shtetit para BE-së. Kjo është më se e qartë. Veçanërisht në një kohë kur diskutohet për çështje të mëdha siç është liberalizimi i vizave, për bisedimet për anëtarësimin në BE”. është mirë, shtoi ai, për një vend që për çështje të rëndësishme të gjejë konsensus. “Ka shumë tema për konflikte, por për sa u përket çështjeve të rëndësishme duhet konsensus i grupeve të mëdha parlamentare”, theksoi Swoboda. Ai vlerësoi se sa i takon liberalizimit të vizave, Shqipëria dhe Bosnja do të përfitojnë pasi të jenë përmbushur disa kushte, duke filluar nga pasaportat deri te marrëveshja për pranimin e personave të dëbuar nga vendet e BE-së dhe të gjitha rregullat e tjera për të cilat duhet rënë akord. “Dhe, sipas mendimit tim, që nga mesi i vitit ose, më e vonëta, në fund të vitit, të dyja shtetet do të fitojnë liberalizimin e vizave”, tha Swoboda.
#