Katër parlamentarë britanikë, para gjyqit për vjedhje
Skandali
Akuzohen për deklarata false për shpenzime të ndryshme
Tre deputetë laburistë dhe një konservator do të përballen me akuza kriminale në lidhje me shpenzimet e tyre të paligjshme. Kjo deklaratë është bërë e ditur nga shefi i prokurorëve publikë britanikë. Ata do të gjykohen në bazë të ligjit për vjedhjen. Fillimisht ata e kanë mohuar akuzën dhe sipas zëdhënësve përkatës do të mbrojnë pozicionet e tyre rreptësisht. Lajmet në lidhje me shpërdorimet e fondeve nga ana e shumë parlamentarëve britanikë dolën në muajin maj të vitit të kaluar dhe që atëherë policët premtuan hetime të plota për një pjesë të mirë të rasteve. Deputetët do të gjykohen për veprime që bien në kundërshtim me ligjin për vjedhjet dhe ata që do të dënohen për një gjë të tillë do të përballen me një dënim maksimal prej 7 vitesh burg. Ata në këtë moment të parë nuk do të arrestohen, por do të gjykohen të lirë vetëm se do të duhet që të paraqiten herë pas here në polici. Kryeministri Gordon Braun tha se ai ishte shumë i inatosur me atë që kishte ndodhur. Ndër të tjera ai tha: “Disa muaj më parë ndërmorëm hapa për të hequr mundësinë që këta njerëz të kandidonin sërish në zgjedhje. Veprat penale për të cilat ata akuzohen janë shumë të rënda dhe ato duhet që të shqyrtohen të gjitha deri në detaje”. Ndërsa një zëdhënës i Partisë Konservatore tha se i akuzuari i tyre ishte tërhequr dje nga të gjitha detyrat që kishte në Parlament.
#