E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minxolli: Ju rrëfej takimet sekrete me Patrik Henrin

Administratori amerikan i “SAC-Albademil” do të eksportonte barutin me një anije izraelite
Transporti i barutit, që nxirrej nga demontimi i municioneve në Gërdec, administrohej nga një prej administratorëve të firmës “SAC-Abademil”, Patrik Henri. Dritan Minxolli, ish-drejtori i fabrikës lëshoi dje një deklaratë në seancën gjyqësore, duke pohuar se Patrik Henri ka qenë i interesuar për të eksportuar barut nga Shqipëria drejt shteteve të tjera. “E gjithë sasia që ka dalë nga demontimi i municioneve është sistemuar në depot e repartit dhe më pas në kontejnerë. Pala amerikane në kompaninë ‘Sac Albademil’ ka siguruar në Ministrinë e Mbrojtjes lejen për eksportin e barutit. Mendoj se kjo sasi baruti mund të ketë shkaktuar dëme të jashtëzakonshme gjatë shpërthimit dhe unë nuk jam vënë në dijeni për ndonjë rrezik të mundshëm nga ekspertët amerikanë”, tha Minxolli, duke shtuar se ortaku amerikan i firmës ku punonte ka ardhur në Shqipëri në datat 7-8 mars, pra një javë para shpërthimit tragjik. Pasi mbërriti në aeroport, kujton Minxolli, Patrik Henri është drejtuar menjëherë në fabrikë për të parë mënyrën e punës, ku dhe ka ushtruar një kontroll të imtësishëm. “Atë ditë kam qenë në punë dhe së bashku me Patrik Henrin dhe ekspertin amerikan, Red Tejlor, i cili ishte mbikëqyrës teknik i rregullave në fabrikë, kemi ushtruar një inspektim të hollësishëm të proceseve teknike. Pasi amerikanët realizuan inspektimin, nga ana e tyre nuk na u la asnjë detyrë apo ndonjë indicie për kërcënim se fabrika ndodhej në rrezik. Po atë ditë, unë edhe shefi im, Patrik Henri, ushtruam edhe një inspektim në fushën ku gjendej baruti. Jemi kthyer në zyrën e Patrik Henrit në fabrikë dhe kemi diskutuar për mënyrën e funksionimit të punës. Më ka sqaruar se në fund të muajit shkurt të vitit 2008 kishte kryer eksport baruti jashtë Shqipërisë. Patrik Henri pretendonte të bënte eksportin e sasisë së barutit të sistemuar sipas referencës së tij. Jam vënë në dijeni se ky eksport do të kryhej nga Porti i Durrësit. Henri do të merrte një anije nga Izraeli për këtë qëllim”, shpjegoi Minxolli dje në gjykatë. Më tej tregoi detaje të qëndrimit të Patrik Henrit në Shqipëri. Ai tha se Henri ka takuar edhe bashkortakun Mihal Delijorgji, i cili, sipas Minxollit, kryente vetëm një funksion në fabrikën e Gërdecit, atë të financimit të projekteve. “Të dy ortakët, në prezencën time, në datën 14 mars 2008, një ditë para tragjedisë, kanë zhvilluar një takim në zyrën e Delijorgjit në Tiranë, Patrik Henri mori informacionin financiar të të ardhurave nga kompania ‘Albademil’ të fazës së parë. I nderuari Patrik Henri është shprehur me superlativa për mënyrën e punës”, tha Minxolli, duke sqaruar trupin gjykues se ka qenë personalisht në atë takim. Minxolli tregoi se pas këtyre takimeve, Henri është larguar nga Shqipëria dhe është sistemuar në Zvicër, ku dhe ka mohuar të gjithë bisedën që kanë kryer në Tiranë. Më pas është larguar në SHBA ku dhe është pyetur nga prokuroria shqiptare për mënyrën e punës së kompanisë ‘Sac-Albademil”. Ish-drejtori i fabrikës së Gërdecit tha se nuk është pyetur asnjëherë për këto detaje nga Prokuroria e Përgjithshme, pasi, sipas tij, akuza nuk ka qenë e interesuar për të mësuar të tilla detaje.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›