Moti i keq, Haki Çako nga ura e Mifolit: Niveli i lumit Vjosa në pikë kritike, kemi marrë masat e nevojshme

Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, ka inspektuar në terren situatën e krijuar nga prurjet e larta të lumit Vjosë në zonën e urës së Mifolit.
Ai bëri të ditur se niveli i ujit ka arritur në 7.1 metra, duke e vendosur zonën në pikë alerti.
Sipas Çakos, prurjet intensive që vijnë nga Tepelena dhe Përmeti pritet të arrijnë pikun në mesditë, ndërsa gjatë natës situata është monitoruar pa ndërprerje.
Ai theksoi se aktualisht nuk ka banesa të prekura, por rreziku mbetet i pranishëm dhe janë marrë masat për evakuimin e banorëve në rast se lumi del nga shtrati.
“Situata paraqitet në alert sepse niveli i prurjeve në Vjosë është i konsiderueshëm, rreth 7 metra. Kemi monitoruar pa shkëputje gjatë gjithë natës dhe mund të themi që ka një stabilitet në nivelet në Përmet dhe Tepelenë. Gjithsesi, është një nivel që ka risk të shtuar. Për momentin nuk kemi banesa të prekura, por janë marrë masat për evakuime nëse lumi do të dalë nga shtrati,” deklaroi Çako.
Ai shtoi se tre banesa pranë shtratit të lumit janë evakuuar si masë paraprake, ndërsa pranë tyre ka prezencë uji.
Çako u bëri thirrje qytetarëve të mos krijojnë panik, duke theksuar se pika kritike mbetet mbi 8 metra dhe se monitorimi do të vijojë pa ndërprerje, pasi ditët në vijim priten sërish reshje.
Aktualisht, lumi Vjosë ka dalë edhe në pjesën e pazarit pranë urës së Mifolit, ndërsa autoritetet vijojnë të mbajnë situatën nën kontroll.
/rtsh.al/