E Hënë, 2 Nëntor 2026

Deportimi i 700 familjeve shqiptare, avokati Hasani jep detaje nga Londra për RTSH -24

Ministrja e Brendshme britanike, Shabana Mahmood, ka prezantuar në Parlament një paketë të re ligjore për azilin dhe emigracionin, duke vendosur në fokus 700 familje shqiptare që sipas saj kanë ezauruar çdo të drejtë për apelim dhe pritet të kthehen në vendin e origjinës.

Avokati Naim Hasani, në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Londra për RTSH 24, ka komentuar vendimin e qeverisë britanike për politikën e re të azilit dhe emigracionit, duke dhënë detaje mbi deklaratat e ministres së Brendshme, Shabana Mahmood.

Avokati ka shpjeguar se qeveria britanike ka parashikuar dy skenarë për familjet shqiptare: kthimin vullnetar me mbështetje financiare ose rikthimin e detyruar në rast refuzimi.

 “Qeveria britanike ka shpallur një numër masash, duke parë fluksin e madh të emigrantëve që vijnë nga Franca drejt Britanisë. Në vitin 2022 pati një numër të konsiderueshëm shqiptarësh, ndërsa tani ky numër ka rënë ndjeshëm. Megjithatë, ministrja e Brendshme ka zgjedhur të veçojë 700 familje shqiptare, të cilat sipas saj janë gati për t’u kthyer në Shqipëri,” u shpreh Hasani.

Ai shtoi se ministrja e Brendshme, Shabana Mahmood, ka sqaruar në Parlament se qeveria dëshiron që familjet të kthehen vullnetarisht, duke u ofruar mbështetje financiare për riintegrimin e tyre në shoqëri.

“Nëse këtyre familjeve nuk u ka mbetur asnjë mundësi apelimi dhe refuzojnë të kthehen vullnetarisht, atëherë do të detyrohen me forcë të rikthehen në vendin e origjinës,” tha Hasani, duke cituar deklaratat e ministres.

Avokati kujtoi se Britania ka qenë gjithmonë e detyruar të shqyrtojë kërkesat për azil në bazë të ligjeve të saj dhe konventave ndërkombëtare, por tashmë Shqipëria është shpallur vend i sigurt dhe kandidat për Bashkimin Europian, çka e bën më të lehtë kthimin e familjeve shqiptare.

Duke folur për statusin e Shqipërisë, ai nënvizoi se vendi tashmë është shpallur i sigurt dhe kandidat për Bashkimin Europian, gjë që e lehtëson procedurën e kthimit.

Hasani ngriti shqetësimin për fëmijët e lindur dhe rritur në Britani, duke e cilësuar këtë si një paradoks ligjor.

Ai theksoi se ligjet aktuale u japin fëmijëve të drejta të veçanta që e bëjnë të vështirë ndarjen nga prindërit.

“Nëse një fëmijë ka lindur në Britani dhe ka mbushur 7 vjeç, ai ka të drejtë të aplikojë për leje të përhershme dhe nuk mund të ndahet nga familja. Po ashtu, një fëmijë që jeton këtu prej 10 vitesh ka të drejtë të aplikojë për shtetësi britanike. Këto janë dispozita ligjore që e bëjnë shumë të vështirë ndarjen e fëmijëve nga prindërit,” theksoi ai.

Hasani përfundoi se çdo rast do të shqyrtohet individualisht, sipas ligjeve në fuqi, duke iu përgjigjur nevojave dhe pretendimeve të secilit individ që jeton në Britani.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›