Moti i keq, Veliaj: Ekipet në terren për të siguruar që çdo rrugë të jetë e kalueshme

TIRANË, 8 dhjetor /ATSH/ Kryebashkiaku Erion Veliaj ka reaguar sot, pas përkeqësimit të kushteve atmosferike në Tiranë, ashtu si në të gjithë vendin. Veliaj thotë se “ekipet e punës janë në terren për të monitoruar situatën e reshjeve dhe për të siguruar që çdo rrugë e qytetit të jetë e kalueshme dhe e sigurt. Nga pastrimi i pusetave, te ndihma për qytetarët”.
Kryetari i bashkisë u bën thirrje qytetarëve, në rast se kanë ndonjë problemi në zonën e tyre të raportojnë tek aplikacioni “Tirana Ime”, ose të telefonojnë në numrin 112.
Pak më parë, ka reaguar edhe Policia Rrugore duke u bërë apel drejtuesve të automjeteve, biçikletave dhe motomjeteve për më shumë kujdes, për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike.
Sipas njoftimit në rrjetet sociale, shërbimet e Policisë Rrugore në të gjithë vendin janë të pranishme me burime njerëzore dhe pajisje teknologjike të shtuara, jo vetëm për të rregulluar trafikun, por edhe për të parandaluar, konstatuar dhe ndëshkuar shkelësit e rregullave të qarkullimit rrugor, të cilët janë burim rreziku për përfshirje në ngjarje rrugore.
Nga puna e ekipeve të Bashkisë Tiranë në terren 1 nga 6/r.e/