Moti i keq, Veliaj apel qytetarëve: Për probleme raportoni te “Tirana Ime” ose 112

TIRANË, 26 gusht /ATSH/ Orët e fundit Tirana është përfshirë nga një stuhi e fortë me reshje të shumta shiu.
Grupet e emergjencës të bashkisë Tiranë, bashkë me skuadrat e tjera, po punojnë intensivisht për të normalizuar situatën pas shirave të rrëmbyeshëm.
Edhe pse reshjet ishin tepër intensive, kanalizimet kulluan brenda një kohe të shkurtër sasinë e madhe të ujit, ndërsa lëvizja e këmbësorëve dhe e mjeteve vijon aktualisht pa probleme.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, përmes një reagimi në rrjete sociale apelon qytetarët që të kenë kujdes dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme.
“Tirana është përfshirë nga moti i keq, do të ketë reshje dhe erëra të forta. Ju lutem, tregoni kujdes dhe shmangni lëvizjet e panevojshme! Ekipet tona janë të gatshme për çdo situatë. Për çdo problem, raportoni në aplikacionin “Tirana Ime” ose telefononi 112”, shkruan ai.
/a.f/