E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moti i keq, anulohet vizita Cooper në Kosovë

PRISHTINË- Vizita e paralajmëruar për sot në Prishtinë e ndërmjetësit për bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, Robert Cooper, nuk do të realizohet për shkak të motit të keq në Kosovë dhe bllokimit të rrugëve nga bora e madhe.

Zyrtarë nga Brukseli kanë njoftuar se Cooper pas vizitës në Beograd të mërkurën është kthyer në Bruksel duke anuluar kështu vizitën në Kosovë ku ishte paraparë diskutim rreth raundit të ri të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, raporton Zëri.

Zyrtari i lartë i BE-së një ditë më parë, ka qenë në Beograd, ku ka zhvilluar një takim me shefin e delegacionit serb në dialog, Borisllav Stefanovic.

Mësohet se ky i fundit i ka propozuar ndërmjetësit europian disa propozim-modele për përfaqësimin rajonal të Kosovës, që, sipas tij janë në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së.

Propozime për datën e takimit të radhës Cooper pritet t’i paraqesë edhe kryenegociatores së Kosovës, Edita Tahirit. Takimi i fundit mes dy kryenegociatorëve është mbajtur në fund të vitit 2011 ku është arritur edhe marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufijve, marrëveshje kjo e cila ende nuk është nënshkruar dhe si e tillë nuk ka gjetur zbatimin në praktikë.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Teknologjia

Të gjitha ›