Moti i keq, ministrat nisin inspektimet

Vështirësitë e krijuara nga përkeqësimi i motit i ka detyruar autoritetet shtetërore të nxjerrin në terren të gjitha strukturat e tyre.
Ministrja e infrastrukturës dhe energjisë Belinda Balluku, e cila pasdite pa nga afër situatën në Rrugën e Arbrit, njoftoi se në të gjithë vendin janë 110 borëpastruese me më shumë se 1100 punonjës. “Kujdes! Mos qarkulloni në akset e rënduara nga bora, pa mbaruar vala e stuhisë, vetëm në raste emergjencash. Gomat e dimrit dhe zinxhirët janë të nevojshëm për sigurinë tuaj” ju bëri thirrje zonja Balluku drejtuesve të mjeteve.
Më herët ministri i brendshem, Taulant Balla tha se strukturat e Policisë Rrugore, po patrullojnë në akset ku ka patur reshje bore dhe dhe do të kërkojnë ndërhyrjen e enteve pronare në çdo rruge ku konstatohet veshtirësi për shkak të lagështirës dhe borës.
Aktualisht, qarqet më problematike për shkak të reshjeve të borës në zonat malore janë Shkodra, Kukësi dhe Dibra. Shërbimet e Policisë Rrugore janë në terren, për të kontrolluar rrugët dhe përdorimin e gomave dimërore dhe zinxhirëve të gomave, nga drejtuesit e mjeteve. Balla bën thirrje që për çdo problematikë të telefonohet në numrin e emergjencave 112.
Gazetare Amela Koçerri
/ rtsh.al /