E Martë, 3 Nëntor 2026

Moti me reshje dhe dëborë-Balluku: Avari në 13 fidera në Fier, mirëmbajtja në gatishmëri

Vendi ynë, prej mbrëmjes së djeshme, është përfshirë nga reshje të dendura shiu dhe stuhi lokale, ndërkohë që në Veri dhe Verilindje, ka pasur reshje dëbore.

Përmes një postimi në Facebook, ministrja bën me dije se në qarkun e Kukësit ka pasur reshje dëbore, por pa shkaktuar probleme në qarkullimin e automjeteve. Në segmentin rrugor, Dushaj – Sheshi i Trageteve – Lekbibaj, gjatë natës ka pasur reshje dëbore në lartësinë mbi 700 metra. Po kështu edhe në Qafë Thore ku janë marrë masa për hedhjen e kripës dhe pastrimin e rrugës.

Në aksin Ura e Zapotit – Shishtavec, ka vazhduar rënia e dëborës dhe po punohet për kriposjen dhe pastrimin e rrugës. Trashësia e dëborës shkon deri në 15 cm. Këshillohet që automjetet të cilat qarkullojnë në këtë segment të jenë të pajisura me goma dimërore për shkak të temperaturave të ulëta, të cilat shkojnë deri në minus 2 gradë.

Në segmentin malor Vau i Dejës – Pukë – Kukës, Fushë Arrëz – Qafë Mali – Kukës ka reshje dëbore dhe po punohet për kriposjen dhe pastrimin e rrugës. Këshillohet përdorimi i gomave dimërore.

Në akset Bajram Curri – Valbonë, Ura Bujan – Qafë Morinë – Tropojë – Shipshan – Sopot -Kerrnaje, Bajram Curri – Fierzë ka pasur reshje dëbore e cila është pastruar dhe nuk ka probleme për qarkullimin.

Në akset e tjera të vendit, në rajonin qendror dhe atë jugor, ka pasur reshje shiu me intensitet, por qarkullimi i automjeteve vijon normalisht.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bën me dije se gjitha strukturat, vijojnë të jenë në terren duke ndërhyrë për normalizimin e çdo situate problematike të shfaqur.

Sakaq, për shkak të motit të keq janë shfaqur avari në 13 fidera, kryesisht në rajonin e Fierit si pasojë e erërave të forta në zonat rurale ku ndodhen ne terren ekipet e OSSH.

Të gjitha linjat, të cilat furnizojnë me energji elektrike hidrovorët, janë në funksion të plotë lajmeron Balluku.

Sa i takon kaskadës së Drinit situata paraqitet e qetë, ku për shkak të prurjeve të konsiderueshme të liqenit të Komanit dhe Vaut të Dejës i gjithë prodhimi i energjisë mbulohet nga këto dy Hec-e.

Në portin e Durrësit situata paraqitet pa probleme ndërsa në portin e Vlorës, për shkak të erës së fortë, gjatë ditë së sotme është pezulluar lundrimi i trageteve dhe mjeteve të tjera lundruese. Në2 aeroportet  ndërkombëtare ai i “Nënë Tereza” dhe aeroporti ndërkombëtar i Kukësit nuk janë paraqitur asnjë problematikë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›