E Diel, 1 Nëntor 2026

Moti me reshje, në rënie niveli i ujit në rezervuarin e Funarit

TIRANË, 17 shkurt /ATSH/ Bashkia Elbasan njoftoi se gjatë natës së mbrëmshme dhe në orët e para të mëngjesit është përballur me një situatë emergjente në rezervuarin “Aksi 2-2” në zonën e Funarit, ku niveli i ujit u rrit ndjeshëm, me tendencë për dalje mbi digë.

Sipas njoftimit zyrtar, në koordinim Prefektura Elbasan, Policia e Shtetit dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) kanë aktivizuar strukturat e mbrojtjes civile dhe situata aktualisht paraqitet nën kontroll.

Autoritetet bëjnë me dije se aktualisht sasia e ujit që po shkarkohet është rreth 3 metër kub në sekondë më e lartë se prurjet hyrëse, çka ka sjellë uljen e nivelit të ujit me rreth 20 centimetra.

Megjithatë, theksohet se rreziku nuk mund të konsiderohet i kaluar plotësisht, pasi situata mbetet e varur nga kushtet e motit gjatë orëve në vijim.

Strukturat përgjegjëse, të mbështetura nga efektivë të policisë, do të vijojnë monitorimin e vazhdueshëm dhe do të qëndrojnë në gatishmëri të plotë për menaxhimin e çdo zhvillimi.

Kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja deklaroi se prej natës së kaluar është evidentuar problematikë edhe në rezervuarin e kësaj zone, për shkak të prurjeve të larta nga përrenjtë malorë.

Sipas tij, ndërmarrja e Shërbimeve Publike ka ndërhyrë gjatë gjithë ditës në rezervuarin e Braneshit për të shmangur rrezikun e kapërcimit të digës, që mund të sillte përmbytje në fshatin Branesh dhe në 2-3 fshatra të tjerë të Njësisë Administrative Bradashesh, të pozicionuar pranë autostradës Tiranë–Elbasan.

“Tani situata paraqitet e qetë. Për momentin ka më shumë largim të ujit nga rezervuari sesa prurje nga përrenjtë”, u shpreh kryebashkiaku.

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›