E Hënë, 2 Nëntor 2026

FOKUS – Irani dhe SHBA-ja bien dakord për “parimet udhëzuese” në bisedimet e Gjenevës

GJENEVË, 17 shkurt /ATSH-DPA/- Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani rifilluan sot negociatat e tyre në Gjenevë, me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi që tha se ishte arritur një marrëveshje e përgjithshme mbi “një sërë parimesh udhëzuese”.

“Rruga drejt një marrëveshjeje ka filluar, ne jemi gati”, tha ai, pas bisedimeve që zgjatën më shumë se tre orë në misionin e përhershëm të Omanit, në qytetin zviceran.

“Por, kjo nuk do të thotë se kemi arritur një marrëveshje”, i tha ai televizionit shtetëror iranian.

Araghchi nuk zbuloi detaje të mëtejshme rreth “parimeve udhëzuese”, por e përshkroi atmosferën si konstruktive.

Megjithatë, ai paralajmëroi se procesi i hartimit të një marrëveshjeje do të kërkonte kohë dhe se ende nuk ishte caktuar një datë për një raund të ri negociatash.

Nuk ka patur ende një koment të menjëhershëm nga SHBA-ja.

Përpara bisedimeve, të cilat u ndërmjetësuan nga Omani, presidenti i SHBA-së Donald Trump u tha gazetarëve se do të kishte një rol.

“Do të jem i përfshirë në bisedime në mënyrë indirekte dhe ato do të jenë shumë të rëndësishme. Do të shohim se çfarë mund të ndodhë”, tha Trump.

SHBA-ja u përfaqësua në Gjenevë nga i dërguari special, Steve Witkoff dhe dhëndri i Trump, Jared Kushner.

Diskutimet e fundit u përqendruan kryesisht në programin bërthamor të Iranit.

Uashingtoni ka kërkuar prej vitesh ta parandalojë Teheranin nga blerja e armëve bërthamore.

Teherani, i cili ka hedhur poshtë pretendimet se po kërkon të ndërtojë armë bërthamore, ka sinjalizuar se është i gatshëm të kufizojë programin e tij bërthamor civil – në këmbim të heqjes së sanksioneve të ashpra ekonomike nga SHBA-të.

Megjithatë, Irani ka thënë se nuk do të negociojë për çështje të tjera, të tilla si zvogëlimi i arsenalit të tij raketor ose ndërprerja e mbështetjes për grupet militante.

Bisedimet vijnë mes disa javësh tensionesh në rritje midis Uashingtonit dhe Teheranit, pasi forcat iraniane të sigurisë shtypën brutalisht një valë protestash në janar, me mijëra persona të raportuar të vrarë.

Në përgjigje, Trump kërcënoi udhëheqjen iraniane me një ndërhyrje ushtarake dhe dërgoi asete ushtarake, përfshirë dy transportues aeroplanësh, në rajon.

Udhëheqësi suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, u duk i paepur nga kërcënimet e Trump të martën.

“Më e rrezikshme se një aeroplanmbajtëse është arma që mund ta fundosë atë”, tha udhëheqësi suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei – i cili ka fjalën e fundit në të gjitha çështjet strategjike në Republikën Islamike.

Udhëheqja e Iranit ka qenë nën presion të konsiderueshëm që nga protestat. Gjatë fundjavës, rreth një milion njerëz në disa kontinente demonstruan për liri në Iran, pasi Reza Pahlavi, djali i monarkut (shahut) të fundit të Iranit, bëri thirrje për një ditë veprimi.

Lëvizja protestuese ka shprehur kritika për një marrëveshje të mundshme me udhëheqjen aktuale të vendit.

Raundi i parë i bisedimeve midis përfaqësuesve iranianë dhe amerikanë për të shuar konfliktin në zhvillim – u mbajt në Oman në fillim të këtij muaji.

Negociatat midis Teheranit dhe Uashingtonit vitin e kaluar u ndërprenë – pasi Izraeli nisi sulme në shkallë të gjerë ndaj Iranit në qershor – para fillimit të raundit të ri të bisedimeve. SHBA-ja më vonë iu bashkua luftës në mbështetje të Izraelit, duke shënjestruar objektet bërthamore të Iranit.

Trump ka dhënë disa mesazhe për Iranin në javët e fundit, duke ofruar justifikime të ndryshme për një sulm të mundshëm – nga reagimi ndaj shtypjes brutale të qeverisë ndaj protestuesve deri te shkaktimi i dëmeve në programet e tij bërthamore dhe balistike të raketave. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›