E Diel, 1 Nëntor 2026

Moti në Vlorë, pezullohet lundrimi për mjetet e vogla dhe peshkimit deri më 7 janar

Kapiteneria e Portit Detar të Vlorës ka vendosur pezullimin e lundrimit detar për mjetet e vogla lundruese dhe mjetet e peshkimit, për shkak të kushteve të rënda hidro-meteorologjike. Pezullimi do të zgjasë rreth 5 ditë, nga 2 deri më 7 janar.

Sipas paralajmërimeve, në qytet pritet përkeqësim i kushteve të motit, ku era e fortë bregdetare me drejtim jug-jugperëndim arrin shpejtësinë deri në 15 metra për sekondë, duke shkaktuar dallgë deri në 1.5 metra lartësi, gjë që e bën të pamundur lundrimin e mjeteve të vogla dhe të peshkimit.

Ndërkohë, trageti i linjës me Brindisin do të vijojë lundrimin normal, pasi mund të përballojë forcat më të mëdha të detit. Administratorët e mjeteve lundruese kanë marrë masa për sigurimin dhe lidhjen e mjeteve në bregdet, për të shmangur përplasjet dhe dëmet materiale.

Situata pritet të përmirësohet pas orës 06:00 të mëngjesit të 7 janarit, kur këto mjete do të lejohen të dalin sërish në det për lundrim ose peshkim.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›