E Diel, 1 Nëntor 2026

Tjetër aksident në Rrugën e Kombit, përplasen 4 automjete, situatë e vështirë për shkak të motit të keq

Një tjetër aksident ka ndodhur në Rrugën e Kombit, ku janë përfshirë katër automjete. Ngjarja ka shkaktuar vështirësi në qarkullim, ndërsa moti i keq dhe rrëshqitja e automjeteve në rrugë akullnajore duket se kanë qenë shkaku kryesor.

Problemet më të mëdha janë regjistruar në segmentin nga Fani deri në Thirrë, për shkak të temperaturave të ulëta dhe reshjeve të shiut me prani dëbore. Njësia e Autostradave po monitoron lëvizjen e mjeteve dhe u ka bërë thirrje drejtuesve të jenë të pajisur me goma dimërore.

Firmat mirëmbajtëse kanë nisur vendosjen e kripës në rrugë për të përmirësuar kushtet e qarkullimit dhe për të parandaluar aksidentet. Megjithëse paralajmërimi për ulje të temperaturave ishte dhënë më parë, shumë drejtues mjetesh nuk ishin të përgatitur dhe aksidentet nga rrëshqitja e automjeteve nuk kanë munguar.

Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.

Njoftimi i policisë:

Lezhë/Informacion paraprak

Rreth orës 09:40, në autostradën Milot–Morinë, ka ndodhur një aksident rrugor ku janë përfshirë disa automjete. Si pasojë e aksidentit, janë dëmtuar drejtuesja e njërit prej automjeteve, shtetasja F. T., si dhe pasagjerja, shtetasja N. T., të cilat po marrin mjekim në spital dhe, paraprakisht, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave dhe të shkakut të aksidentit.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›