E Shtunë, 31 Tetor 2026

Motivet e dobëta në strategjinë e Ramës

16-07-2012 / Nga Lavdrim Lita

Të analizosh sjelljen e kreut të opozitës në “luftën” politike është si përherë një sipërmarrje komplekse. Sepse strategjia e Edi Ramës për të ardhur në pushtet bazohet në de-strukturimin e komponentëve bazë të palës kundërshtare dhe jo në ofrimin e një alternative kushedi se çfarë. Prandaj, me radhë nis fushata politike dhe mediatike kundër anëtarëve të kabinetit qeverisës dhe kreut të saj, kryeministrit Berisha. Ky diskurs mund të shpaloset në disa rrafshe: së pari Rama ka halë në sy ministrat e suksesshëm të qeverisë Berisha sepse kjo do të thotë përkthim të suksesin në një votë për koalicionin qeverisës dhe jo votë e munguar për alternativën e opozitës. Ndër ministrat e kabinetit Berisha, ministri i Mbrojtjes Imami është provuar si një bashkëpunëtor korrekt, me ide në reformimin e Forcave të Armatosura, sipas parimeve të mbrojtjes së zgjuar të konceptit strategjik të NATO-s. Strukturimi i FA-së dhe implementimi i plani të përhapjes të saj shkakton pakënaqësi ndër opozitarët e sotëm që kanë pasur gjithmonë idenë e një “furriku” ideologjik brenda ministrisë së Mbrojtjes dhe shtabit të Përgjithshëm si vijueshmëri e partishmërisë së dikurshme. Nëse në fillimet e demokracisë i ndjeri ish-ministër i Mbrojtjes Zhulali thoshte metaforën e goditur se ushtarakët janë konservatorë dhe se janë si shalqiri, pra jashtë jeshilë dhe brenda të kuq, është hera e parë në njëzet vjet pluralizëm që ideja e hapjes së ushtrisë ndaj komunitetit po pengohet prej gardianëve të  kuq dhe jo pa simbolikë shfaqen në produktet biologjike të Xhelil Gjonit dhe Kristaq Ramës, përkatësisht Ilir Gjoni dhe Edi Rama. Së dyti: është e pakonceptueshme për Partinë Socialiste që meritat për mbarëvajtjen e operacioneve të emergjencave civile, në dimër me dëborë dhe përmbytje dhe verë me zjarre të papritura, të jenë të ministrisë së Mbrojtjes, ngase kjo do të ishte kapital politik i qeverisë Berisha. Në fakt, përballimi me sukses i emergjencave të ndryshme natyrore i dy ministrive të linjës ka forcuar besimin në asetet e pakursyera, qoftë njerëzore apo/dhe materiale, të angazhuara për shpëtimin e jetëve. Por për opozitën, që fatkeqësitë i shikon me një sy përfitues, është e papranueshme marrja e meritave. Prandaj investohet me shtabin e saj informal të shpërndajë dyshime mbi punën dhe operacionet e forcave të armatosura.  Së treti: në këto sulme ndaj shërbimin informativ ushtarak për “trafik armësh” dhe “përgjigje opozitarësh” ka diçka serioze që nuk shkon për anëtarët PS-së në Komisionin e Sigurisë kombëtare. Ajo që s’shkon ka të bëjë me akuzën e ndërtuar mbi një teori hamendësimesh të pa baza në prova. Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare ka informacion të bollshëm për veprimtarinë  e Forcave të armatosura sepse ka akses në të gjitha dokumentet e mundshme. Atij nuk i lejohet të angazhohet në një operacion të papërgjegjshëm sepse i njeh procedurat e kontrollit parlamentar dhe inspektimit administrativ. Sigurisht, urdhri militar i lëshuar sipas strategjisë së Ramës për të de-legjitimuar është më i rëndësishme sesa siguria kombëtare. Së katërti: ky investim i PS-së ndaj një strukture të Sigurisë Kombëtare është një hakmarrje e ftohtë për “zbulimin” agjendës së grupit të dhunshëm për demonstratën e 21 janarit. Por Partia Socialiste duhet ta dijë se duke qenë një vend anëtar i NATO-s, e cila përcakton në nenin 4 se “cenimi i pavarësisë politike” dhe rendi kushtetues i një vend anëtar nuk mund të tolerohet kurrsesi.
Së fundmi: lufta politike e opozitës dëften se nuk ka principe përderisa investohet të angazhojë deputetët e saj në punë të papërgjegjshme që dëmtojnë stabilitetin dhe strukturat e  sigurisë për motive të dobëta politike.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›