Zenepja, qoka e fundit e Bamir Topit
Presidenca e Bamir Topit po e përfundon sot mandatin e vet (ndërkombëtar) me një shfaqje të merituar, në promovimin e një libri të gazetares së rebelimit komunist të ’97-s, Zenepe Luka, në një komunë të Brindizit, niveli i fundit i hierarkisë së pushtetit vendor në Itali. Nëpunësi i kulturës i komunës “Cellino San Marco” u shpreh dje i mallëngjyer që kishte mundësi të takonte një kryetar shteti. Zenepja është qoka e fundit e një presidence që regjistrohet si më e turpshmja e historisë së pluralizmit
Presidenca e Bamir Topit po mbyllet me një akt të paprecedentë në historinë e Shtetit Shqiptar. Kurba e kësaj presidence prek sot tabanin e një gjesti kuptimplotë siç është simbolika e vizitës së fundit të një presidenti Republike. Mirëpo nëse u propagandua nga zyra e shtypit e presidencës Topi se vizita e fundit do të ishte ajo e Kosovës për t’i dhënë një simbolikë në 100-vjetorin e Pavarësisë, në të vërtetë ajo po mbyllet në një komunë të vogël të qytetit bregdetar të Brindizit, në Cellino San Marco, me 6 mijë banorë. Kjo komunë modeste organizon për herë të parë një aktivitet ndërkombëtar ku i ftuari kryesor është kryetari (ende në detyrë) i shtetit shqiptar. Në vetvete, kjo vizitë e fundit e presidentit Topi nuk do të ishte edhe aq e papranueshme, nëse vizita nuk do i dedikohej promovimit të një libri mbi Albano Carrisin, këngëtar italian, të shkruar nga gazetarja e rebelimit komunist të ’97, Zenepe Luka. Nëpunësi i kulturës i komunës “Cellino San Marco” u shpreh dje i mallëngjyer që kishte mundësi të takonte një kryetar shteti.
Sot në orën 19. 30 në Sallën “25 Prilli”, me hyrjen nga sheshi Aldo Moro do të promovohet libri i gazetares së rebelimit komunist, Zenepe Luka: “ Dashuria Shqiptare e Albanos”. Me këtë gjest të fundit, Bamir Topi vetëshpallet (ashtu siç paska qenë gjithë kohën) ithar i një kulture të mbrapshtë.
Gjithsesi, , ajo që është e patolerueshme për seriozitetin e shtetit shqiptar është fakti që Presidenti në detyrë deri më 24 korrik shkon të bëjë një “qokë” banale, kur kjo shënohet si vizita e fundit e një kryetari shteti. Dhe takimi i fundit i presidentit, i cili sipas frymës së kushtetutës, presupozohet se duhet të bëjë lobim për marrjen e statusit të vendit kandidat, të nxisë palët me mesazhe inkurajuese për përmbylljen e reformave integruese – është në fakt me një këshilltar kulturor komune që përshëndet veprën e Zenepe Lukës për këngëtarin Al Bano.
Sidoqoftë Bamir Topi na ka mësuar me gjithfarësoj veprimtarie jo serioze. Duke filluar me dekorimet e papërgjegjshme, vazhduar me sjelljen e dyshimtë të 21 janarit, e përfunduar me “qokën” e promovimit të librit mediokër të gazetares së rebelimit komunist, Zenepe Luka (afeksionin për të cilën e ka treguar edhe më herët me një dekorim të tijin). Nuk mjaftonte dekorimi i prokurorit komunist Skënder Breca apo propozimi për ngritje në detyrë i gjyqtarëve të gjyqeve politike, por përzgjedhja e shfaqjes së mbrame ndërkombëtare në një ceremoni që e organizon një komunë e nivelit të mbramë të hierarkisë së shtetit italian, është tregues i meritës që ka kjo presidencë. Nuk paskan qenë incidente as dekorimet e ish-komunistëve, as gafat në politikën ndërkombëtare, as shfaqjet më se dhjetë herë pa njoftuar në brigjet italiane (për motive private – me avion a me anije, ditën a natën), as qëndrimi antishqiptar më 21 janar e as vota për Edi Ramën 8 majin e 2011-s. Ai po e mbyll presidencën e tij me një shfaqje të merituar, me praninë në promovimin e një gazetareje zyrtare të rebelimit komunist të 1997, e cila ia ka kushtuar karrierën e saj shkatërrimit të çfarëdolloj gjëje evropiane që do bëjnë shqiptarët.
Shyqyr që është e fundit, Bamir!