Motorçikleta përplaset me lopën, vdes 55 vjeçari
VELIPOJË- Kafsha i ka marrë jetën një 55 vjeçari nga Velipoja. Teksa ka qenë duke udhëtuar me motorçikletë në aksin Shkodër-Velipojë, Gjokë Vuçela, është aksidentuar kur në rrugë i ka dalë një lopë. Përplasja ka qenë fatale për të.
Ngjarja ndodhi rreth orës 19.45 në aksin rrugor Velipojë - Shkodër, pranë fshatit Sektor. Mësohet se 55 vjeçari Vuçela ka qenë duke lëvizur me një motorçikletë por nga një rrugë dytësore i ka dalë përpara një lopë. Drejtuesi i mjetit ka manovruar por nuk ka mundur të shmangë përplasjen me kafshën dhe pasi e ka goditur atë është rrëzuar në kanal duke u përplasur dhe me një plep në anë të rrugës. Kjo ka bërë qe ai të marrë plagë të rënda dhe të gjejë vdekjen rreth 20 minuta më pas në spitalin rajonal të Shkodrës.
Sipas policisë shkaku i aksidentit ka qenë humbja e kontrollit të drejtimit të mjetit dhe përplasja me pemën. Mungesa e ndriçimit është problematike në këtë aks dhe është bërë shpesh shkak i aksidenteve.