Mos kini frikë

Në debatin nëse duhet që Ministria e Brendshme të marrë në varësi KQZ-në, kreu i saj Çlirim Gjata thotë se ska arsye për frikë
Varësia e mundshme e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Ministria e Brendshme nuk shikohet si një problem për manipulimin e votave nga ana e kreut të këtij institucioni, Çlirim Gjata. Varianti në fjalë është kundërshtuar në mënyrë absolute nga PS-ja, por edhe nga partitë e tjera të opozitës, sipas të cilave varësia e KQZ-së do të ishte një “armë” më shumë në dorë të mazhorancës, për të favorizuar fitoren e saj. Por sipas kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nuk bëhet fjalë për heqje të kompetencave të KQZ-së. “Ka vende si Italia apo Greqia, ku zgjedhjet organizohen në kuptimin logjistik nga Ministria e Brendshme, pra “hamallëkun” e heq Ministria e Brendshme. Ndërsa si institucione administrimi e bëjnë komisionet në bazë. Unë ku ta gjej të merresha me organizimin e procesit dhe “barrën” e materialeve zgjedhore dhe logjistikën ta kishte Ministria e Brendshme”, - tha për “Korrierin” Çlirim Gjata. Sipas tij, në këtë rast nuk bëhet fjalë për administrim të procesit zgjedhor apo edhe të organizimit nga ana e ministrisë. Kjo e fundit do të ketë vetëm rol dytësor, e cila veçse ndihmon në mbarëvajtjen e zgjedhjeve. “Ka tërë jetën që nga diktatura e deri më sot, që të gjithë proceset që kemi bërë, si referendumet në demokraci, ku bazën materiale e shpërndan ushtria, pra Ministria e Brendshme. Në 2007-ën sikur të mos kishte qenë aq efikase ushtria, mua do të më kishin dështuar zgjedhjet në dorë. Ne jemi thjesht administratorë. Pra, të tillë do ta ketë funksionin edhe Ministria e Brendshme. Ajo nuk është se do të organizojë zgjedhjet, të shpallë rezultatet apo të manipulojë”, - sqaroi Gjata. Ideja e kalimit të KQZ-së në varësi të Ministrisë së Brendshme u hodh që pas ndryshimeve kushtetuese të 21 prillit. Pjesë e tyre ishte edhe heqja e KQZ-së nga Kushtetuta, duke bërë që të mos jetë më institucion kushtetues. Që pas ndryshimeve opozita e kundërshtoi ashpër idenë e afrimit të institucionit kryesor që merret me organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve tek Ministria e Brendshme, që është në varësi të ekzekutivit e mazhorancës në pushtet. Pikërisht ky fakt i shtyn opozitarët të bëjnë kujdes, duke kërkuar shmangien e çdo lidhjeje mes ekzekutivit dhe këtij institucioni, i cili duhet t’i ketë “duart e lira”, për të mos cënuar organizimin e një procesi të rregullt zgjedhor, që garanton vullnetin e qytetarëve, duke përmbushur edhe standardet e kërkuara nga ndërkombëtarët.