E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mozaiku i Dërsnikut

Gërmimet që u bënë për më shumë se tri javë në fshatin Dërsnik të komunës së Klinës rezultuan me gjetjen e një mozaiku të dekoruar me figura gjeometrike, i cili dëshmon për gjurmët e një pallati luksoz të kohës antike.

Në vendin e quajtur Gradina në fshatin Dërsnik të komunës së Klinës janë gjetur gjurmët e një qyteti antik. Në gërmimet që u bënë gjatë muajit të kaluar në këtë vend u zbuluan muret antike dhe një mozaik antik, që dyshohet se i takon shekullit të dytë pas Krishtit. Në bazë të projektit për gjurmime arkeologjike të përpiluar nga Dedë Palokaj, arkeolog në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, Masar Valla, arkeolog nga Instituti Arkeologjik dhe Haxhi Mehmetaj, arkeolog nga Instituti i Monumenteve dhe Muzeu Rajonal i Prishtinës, nga data 2 deri më 28 korrik, u bënë gërmime arkeologjike në lokalitetin ‘Gradina’ në Dërsnik, të cilat u financuan nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit.

"Më shumë na priu fati që hasëm në këtë gjetje. Dhe kur dolën gurët, eksponatet e gjetjet e para, dolën muret nga drejtimi Lindje-Perëndim, kurse nënshtresat tjera na çuan te zbulimi i një mozaiku. Do të konstatohet se a kemi të bëjmë me një pallat apo bazilikë", është shprehur arkeologu Masar Valla, i cili ishte drejtues i këtyre gërmimeve.

Sipas arkeologëve, falë pozitës gjeografike, begative natyrore, komuna e Klinës ka qenë e banuar që nga epokat më të lashta të neolitit, eneolitit, periudhës dardane të bronzit, hekurit, antikitetit dhe mesjetës së hershme shqiptare. Gjurmë të këtyre epokave arkeologët i kanë verifikuar gjatë përnjohjeve arkeologjike sikur se edhe nga gjetjet e rastësishme në kështjellën shumështresore të Pogragjës, kështjellën e Dollcit në vendbanimet fushore të Dërsnikut, Zllakuqanit etj.

Arkeologu Dedë Palokaj, i cili përfaqëson Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, u shpreh se gjatë gërmimeve arkeologjike orientuese u zbuluan gjurmët e një qyteti antik me vlera të pakrahasueshme. “Pos materialit të lëvizshëm arkeologjik (qeramika, tjegulla, gurë të gdhendur etj.) u zbuluan edhe gjurmët e një pallati luksoz i kohës antike. Këtë e dëshmon zbulimi i një mozaiku i dekoruar me figura gjeometrike i punuar me copëza shumëngjyrëshe guri të ngjitura mirë njëra pranë tjetrës mbi një shtresë të fortë të dyshemesë. Edhe pse jemi në fazën fillestare të gërmimit, bazuar në shumë indikacione, siç janë muret e objekteve të zbuluara, shtresimet, arkitektura, planimetria e objekteve etj., ky pallat mund të jetë një bazilikë paleokristiane”, tha Palokaj. Si dëshmi e kësaj ai tha se në një fragment të qeramikës së zbuluar me ngjyrë të kuqërreme paraqitët peshku, i cili ka qenë simbol i krishterimit të hershëm, që daton nga shekulli II pas Krishtit.

Për gërmime në këtë vend, arkeologëve u kanë ndihmuar edhe studentë të degës së historisë nga Universiteti i Prishtinës dhe nga Universiteti i Tiranës. Nga Tirana kishte ardhur studiuesi i historisë Klodian Velo, që përshkruante e studionte në hollësi, spektrin prej shtatë ngjyrash të mozaikut.

"Deri më tash hasëm dy motive: motivet e zemrës dhe motive me figura gjeometrike, mozaikë që në antikë bëheshin tek pallatet e të pasurve", është shprehur ai.

Në këtë hapësirë që në vitet ’60 janë zbuluar një numër i madh objektesh arkeologjike. Për vlera të pakrahasueshme shquhen stelat dardane, sikurse edhe mbishkrimet të cilat dëshmojnë ekzistimin e një qyteti të antikitetit (municipit).

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›