Hiroshima shënoi 67 vjetorin e sulmit bërthamor

Dhjetëra-mijëra njerëz, përfshirë të mbijetuarit, të afërmit e viktimave, zyrtarët dhe delegatët ndërkombëtarë, u mblodhën në Parkun Paqësor Memorial të Hiroshimas, afër epiqendrës së sulmit të 6 gushtit 1945, për t’i kujtuar rreth 140 mijë viktimat e shpërthimit.
Një shpërthim i dytë bërthamor, i cili pat ndodhur atëkohë dy ditë më pas në Nagasaki, pat lënë të vrarë dhjetëra mijëra njerëz të tjerë, duke e detyruar Japoninë të dorëzohet para aleatëve të Luftës së Dytë Botërore.
Kryetari i Hiroshimas, Kazumi Matsui, tha se Japonia duhet të udhëheqë përpjekjet për çarmatim bërthamor.
Ai madje theksoi se incidenti bërthamor i vitit të kaluar në Fukushima ka vënë në dukje rrezikun e teknologjisë bërthamore, edhe nëse ajo përdoret për qëllime paqësore.