Mozarti modern rrëfen historinë e dy prindërve të divorcuar
Historia përrallë e mbretëreshës së natës, të cilës një mbret i rrëmben vajzën, është kthyer në historinë e një çifti të divorcuar, që secili “lufton” për të marrë kujdestarinë e fëmijës. Subjekti modern i operas “Flauti magjik”nga Mozart, do të shfaqet premierë më 4 tetor në Teatrin e Operas dhe Baletit
Mozarti modern rrëfen historinë e dy prindërve të divorcuar
“Flauti Magjik”, opera gjermane në dy akte e kompozitorit Volfgang Amadeus Mozart mbi libretin e Emanuel Schikaneder-it, për herë të parë është vënë në skenë në Vjenë më 30 shtator 1791. Libreti i Schikaneder-it ishte afërmendsh i mbështjellë me një pëlhurë përrallore, ashtu si dhe personazhet: Mbretëresha e natës, Mbreti rrëmbyes, princesha, tri damat e mbretëreshës, prifti etj. etj. Por më 2011-ën përrallat duket se e kanë humbur magjinë. Prandaj dhe regjisori gjerman Stefan Neugebauer ka vendosur të sjellë një tjetër panoramë në veprën më të përfolur të Mozartit, “Flauti magjik”, në premierën e tij më 4 tetor në Teatrin e Operas dhe Baletit. Në kohët moderne mbretëresha është kthyer në nënë dhe mbreti në baba. Mes çiftin që po divorcohet qëndron vajza. “Beteja” mbretërore është kthyer në “betejën” e një babai dhe një nëne për të marrë kujdestarinë e vajzës. Kjo është “përralla” e kohëve moderne, që luhet më së shumti jo vetëm në shoqërinë shqiptare, por në të gjitha shoqërinë e sotme dhe regjisori Neugebauer këtë do të sjellë përmes muzikës së pandryshueshme të kompozitorit Volfgang Amadeus Mozart. Për ta përshtatur në kohë, Neugebauer ka kërkuar dhe ndihmën e skenografit Markus Majer, që në sfond nuk sheh më pallatin mbretëror, por pamje të ndërtesave të kohëve moderne. Një shtëpi e zakonshme e hapur, ku çdo personazh hyn dhe del në njërën nga 9 dhomat e shtëpisë. Gjithçka është vënë përballë publikut, i cili mjafton të shkëpusë vëmendjen nga njëra dhomë në tjetrën për të ndjekur operan. Por dhe fustani i rëndë i mbretëreshës, damave të saj, do të zëvendësohet me veshje të zakonshme të stiluara nga Regine Standfuss. Sa do të mund ta pranojë publiku shqiptar një Mozart modern?!... “Për këtë duhet të prisnin premierën” –thotë regjisori. Opera me dy akte, “Flauti Magjik”, që vjen për publikun shqiptar në bashkëpunim me ambasadën gjermane në Tiranë, çel dhe sezonin artistik për Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. Kjo opera ngjitet në skenën shqiptare në kuadër të Tetorit Gjerman.
Flauti magjik dhe masoneria
Origjina e “Flauti Magjik” është e mbuluar nga mjegulla. Zyrtarisht libreti i “Flautit Magjik” është shkruar nga Schikaneder, një mason i Lozhës në Vjenë, por duhet pranuar me forcë influenca në çdo varg e letrarit dhe masonit Mozart. Ai donte që kjo vepër të ishte testamenti i tij shpirtëror. Shumë i gjetur është kuptimi simbolik i veprës, për t’ia dedikuar këtë meritë vetëm Schikaneder-it, sigurisht njeri i teatrit dhe këngëtar i shkëlqyer, me të drejtë interpretues i personazhit të Papagenos dhe jo Taminos. Nga ana tjetër Mozart në finalen e Rrëmbimit nga Saraji transformon historinë romantike në një parabolë të Lessingu-t mbi bujarinë dhe bashkëjetesën njerëzore. Dokumente të epokës dëshmojnë në mënyrë të padiskutueshme pjesëmarrjen e Mozartit në Lozhën “Bamirësia”. Sipas disa autorëve, Mozart ka përdorur me ndërgjegje të plotë simbolikë masonike, simbole që i përkasin një filozofie dhe morali të veçantë, por që ndërmjetësohen në njëfarë mënyre nga shpirti human e progresist i viteve ‘700.
Opera e Mozartit, simbolike në një shkallë të lartë, mund të lexohet në mënyra të ndryshme. Thamë më lart se vepra është e dominuar nga një simbologji e pavetëdijshme çka bën të mundur interpretime të ndryshme.