Flauti Magjik …dhe një konflikt familjar
Stefan Neugebauer
Loja e këngës te Mozarti, e sjellë në vitin 1791, është një vepër prej gjeniu sepse, së bashku me libretistin e tij Emanuel Schikaneder ai arriti të sillte një kryevepër që do ishte aq e shumëkuptimtë dhe gjithëpërfshirëse, saqë lind pyetja: Si mund të tregohet sot kjo histori, që në dukje ngjan si një përrallë?.
Mbretëresha e natës synon të hakmerret, sepse Sarastro i merr të bijën Pamina. Tamino, djaloshi hero, duhet të lirojë Paminën me ndihmën e Papagenos. Por cila do të ishte arsyeja që Sarastro, një mbret i plotfuqishëm, të rrëmbente të bijën pikërisht në pallatin e tij? Le të mendojmë thjesht që ai është babai dhe mbretëresha e natës si rrjedhojë është gruaja e tij. Këtu kemi një konflikt familjar të dukshëm, ku të dy prindërit grinden për të bijën pa pasur ndjenjë faji. Në vendet e Europës Perëndimore numri i divorceve pa u vënë re është rritur ndjeshëm. Sot, ajo që dikur ishte një marrëdhënie plot harmoni mes prindërve dhe fëmijëve, duket sikur po bën pjesë në rastet e veçanta të kohës. Për ta treguar më qartë këtë grindje familjare që prek Mozarti në tematikën e tij në mënyre të nënvetëdijshme, ne zgjodhëm ta kthenim vendngjarjen në një shtëpi prej tre katesh. Të nëntë dhomat janë menduar në mënyrë të tillë, që çdo personazhi t’i korrespondojë njëra prej tyre. Për shembull, dhoma e Papagenos ngjason me një dyqan zogjsh, dhoma e Taminos është si ajo e një hoteli, apo dhoma e fëmijëve që është një dhomë tipike e lënë pas dore. Që në uverturë dallohet çifti që grindet dhe vajza e vogël Pamina, teksa janë në tryezën e ngrënies. Pra, që këtu duket fillimi i gjithçkaje në retrospektivë, dhe zë vend historia, duke lënë të kuptohet më mirë dhe hakmarrja e mbretëreshës. Duket dhe sesi Sarastro ia merr Paminën nënës nga duart, duke e lënë atë në kërkim të së bijës. Spektatori do të shohë një shtëpi të hapur, si të ndarë në mes, ku çdo figurë apo grup personazhesh ka një dhomë, dhe ku do jetë e thjeshtë të lëvizet edhe mes dhomave, apo të luhet njëkohësisht në më shumë se një prej tyre. Do duket sikur shikon një ekran të ndarë në nëntë të tjerë më të vegjël. “Flauti magjik” i Mozartit krahasohet me Shekspirin, duke sjellë një lumë ndjenjash të pandashme, ku tragjikja dhe komikja rrjedhin të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën dhe ftojnë publikun të bëhet pjesë e kësaj rryme.