U rrëfej ditën kur më arrestuan babanë
Të atin, ministër Tregtie, ia arrestuan më 8 tetor të vitit 1975. Ndodhej në Rubik, ku bënte zborin e detyruar ushtarak dhe lajmin e keq ia dha xhaxhai Anastas Ngjela, i cili shkoi vetë në qytezën e vegël veriore. Natën e parë e kaloi në lulishten e qytetit, duke menduar sesi do të ishte e ardhmja e tij. Burgimin e priste, por me njëfarë shprese të akullt për vdekjen e diktatorit, për të cilin e dinte se kishte kaluar një miokardi. Të nesërmen, që herët në mëngjes, u fut në restorantin e vetëm të Rubikut për të ngrënë mëngjesin. Atë që e priste e pa në drojën e kamerierëve dhe banakierit. Iku me ndjesinë e Të huajit të Kamysë dhe u ngjit lart në kodrën ku ndodhej kisha e vjetër e Rubikut... Për më shumë lexoni ekstraktin e mëposhtëm dhe për më tej, që nga nesër në librari gjeni autobiografinë “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare 1957-2010” nga Spartak Ngjela.
Arrestimi
Tim atë, Kiço Ngjelën e arrestuan në datën 8 tetor 1975. Ishte një ditë e zakonshme, e vrenjtur dhe pa asnjë lajm të veçantë. Më 8 nëntor të vitit 1941, ai ndoshta kishte trokitur me shokët e tij gotën e pijes që mbante përpara, në një nga lokalet e Tiranës, për themelimin e Partisë Komuniste, kurse tani, po kjo parti e ardhur në pushtet që prej vitit 1944, po e arrestonte si armik të saj. Dhe çfarë kishte ndodhur? Asgjë e veçantë sepse një fakt i tillë tani ishte diçka e vjetëruar në jetën shqiptare, duke qenë se arrestimi i armiqve ishte bërë një ritual i zakonshëm për të. Kurse menjëherë pas arrestimit vinte një kalvar i gjatë vuajtjesh për të gjithë familjen.
Unë, ndërkohë, isha duke kryer zborin e detyrueshëm ushtarak në qytetin e Rubikut. Në të vërtetë isha i prapambetur në atë zbor të gjatë sepse duhej ta kisha kryer që para pesë vjetësh, por me lloj-lloj mënyrash, nëpërmjet një raporti mjekësor dhe falë njohjeve që kisha në Spitalin Ushtarak e pata shtyrë atë nga viti në vit. Por ja që erdhi një kohë, kur dihej se im atë do të goditej dhe mjekët s’mund të ma bënin dot më atë favor, prandaj qysh më datën 1 korrik të atij viti i isha nënshtruar stërvitjes pesëmujore ushtarake për të dalë oficer. Atëherë, kjo ishte një normë e detyrueshme sepse të gjithë të diplomuarit në arsimin universitar duhej të dilnin oficerë rezervë.
Halla ime, Eleni Nashi (Ngjela), më njoftoi në telefon qysh atë ditë arrestimin e tim eti, sipas kodit që kishim lënë më parë me njëri-tjetrin. Pas disa ditësh erdhi në Rubik vetë xhaxhai im, Anastas Ngjela, për të më treguar gjithçka që kishte ndodhur, sepse ai kishte qenë bashkë me tim atë në momentet që kishin ardhur për ta arrestuar. “Kiçoja qëndroi i qetë, - më tha - dhe kishte besim në vetvete”. E kishin arrestuar në shtëpinë e motrës time, Shpresa Ngjelës, vetëm dy orë pas daljes nga plenumi i Komitetit Qendror dhe gjatë atyre çasteve kishte folur hapur edhe me vajzën, edhe me të vëllanë. Nuk kishte thënë asgjë në lidhje me sistemin, por ishte tallur disi me plenumin që e kishte përjashtuar nga Partia, dhe për herë të parë i kishte folur të vëllait për shthurjen mendore të Enver Hoxhës. Anastasi më tha gjithashtu, se Verën, nënën time, nuk e kishin ngarë ende, pasi nuk i kishin thënë asgjë. Prandaj ajo vijonte lejen e zakonshme.
Me Anastasin ndenja vetëm dy orë, sepse edhe ai nuk mund të qëndronte dot më shumë. Kishte qenë aviator prej njëzet vjetësh, por atë ditë ishte veshur me rroba civile disi të vjetra që të mos binte në sy dhe në ato çaste e kuptova se edhe për të kishte nisur persekucioni. Por ai ishte dinjitoz, madje me personalitet të formuar dhe i papërkulur. Gjithmonë e kisha menduar si njeri me kod moral të lartë dhe ashtu doli vërtet, plot dinjitet dhe i prerë, gjatë gjithë periudhës pesëmbëdhjetëvjeçare të burgut dhe të persekucionit të familjes Ngjela.
U ndava me Anastasin dhe pas pak u ula në një nga lokalet ‘lulishte’ të Rubikut që ndodhej paksa lart mbi rrugën nacionale, e cila përshkonte të gjithë qytetin. Krejt i vetëm nisa të mendoj për tim atë. Marrëdhënie të çuditshme këto të këtij qytetërimi, të cilin unë atëherë isha mësuar ta quaja gjithmonë me terma frojdiane dhe ngaherë i thosha “qytetërim edipian”. Por tani kjo nuk mjaftonte, prandaj fillova të ndieja keqardhje, një keqardhje të madhe, e cila vinte më në fund e mblidhej në një pikë ndoshta delirante, sepse duke e konsideruar veten më të aftë, më të avancuar si brez, përse nuk kisha arritur ta shpëtoja. Por në fakt djerroja kot nëpër ato terrene, sepse asgjë nuk kishte mundësi të ndërronte. Im atë e kishte zgjedhur vetë rrugën e tij dhe me mua ishte sjellë gjithmonë si xhentëllmen, duke më lënë të lirë të zgjidhja vetë e të veproja vetë që në moshë shumë të re. Kurrë nuk më kërkoi të ecja qorrazi në rrugën e tij e të shokëve të tij, por asnjëherë nuk më kishte dhënë të drejtë në atakimin që i kisha bërë regjimit politik në të cilin ai ishte ministër.
Ishim grindur shumë politikisht me njëri- tjetrin, madje ia kisha thënë disa herë se sistemi i tyre nuk ecte dot pa viktima, se makina e atij sistemi kishte vetëm një lloj karburanti: ekzekutimin e armiqve dhe nëse nuk kishte të tillë, ata duhej të krijoheshin. Por ai s’reagonte, diçka dyshonte, sepse Enver Hoxhën e kishte njohur që para themelimit të Partisë, kishte punuar me të përmbi tridhjetë vjet dhe sigurisht që ia dinte defektet, por gjithsesi priste që gjendja të ndryshonte. Në të vërtetë, ai besonte tek doktrina, e sidomos tek parimet e socialdemokracisë, të cilat, siç më tha gjatë burgut, kishte menduar në fillim me bindje, se komunizmi mund t’i çonte edhe më përpara.
“Pse ishte aq skeptik”, thashë dikur me vete, tek e mendoja ndërkohë përballë një hetuesi të Sigurimit të Shtetit që kushedi se çfarë broçkullash i kërkonte për të pohuar dhe vijoja të mendoja gjithë në rrjedhën time sipas gjykimit, se skepticizmi vjen nga besimi shtazarak. Në fakt, kjo ishte e vërteta rreth komunizmit. Unë e dija atëherë se të gjitha ato personalitete të komunizmit të eliminuara nga partitë e tyre në Bashkimin Sovjetik dhe në vendet e Lindjes kishin vdekur brenda besimit të tyre shtazarak. Prandaj nuk ishin epur asnjëherë dhe prandaj ishin përdorur aq keq nga liderët e tyre, sidomos nga Stalini dhe nga Enver Hoxha.
Mendova edhe për Titon, por shumë pak, sepse atë e shikoja si të ndryshëm nga liderët e tjerë të komunizmit. Dhe në fakt, kjo ishte edhe e vërteta, sepse të këta të fundit kishin qenë tjetër gjë, ndonëse e njëjta specie doktrinale. Menjëherë konceptova edhe rrezikun që i kërcënohej tim eti: ai ishte i kërcënuar të ekzekutohej, prandaj kuptohej se, ndërkaq, i kishte hyrë procesit të gjatë e të lodhshëm që s’ishte më i tillë në funksion të lirisë, sepse atë e kishte humbur përfundimisht, por gjithmonë brenda raportit të jetës dhe vdekjes. Im atë po luftonte me vdekjen, por nga një lloj tjetër rreziku që nuk kishte të bënte fare me sëmundjen apo me pleqërinë, por vetëm me tjetrin, me atë i cili e kishte kapur rob dhe donte ta ekzekutonte sepse ashtu ia donte interesi. Por a e konceptonte edhe ai ashtu dhe si duhej të sillej për të shpëtuar jetën? Mendoja edhe si avokat i tij, si, pra, do ta mësoja klientin tim të sillej që t’i shpëtonte dënimit me vdekje. Dhe nuk gjeja rrugë, sepse ngaherë më dilte përpara ideja e besimit shtazarak të këtyre komunistëve të shekullit të njëzetë, i cili do të shfrytëzohej për mrekulli nga inkuizitori; ashtu siç ishte shfrytëzuar nga sigurimi sovjetik edhe Buharini, Zinovjevi e Tukaçevski; si ishte shfrytëzuar edhe Slanski në Pragë. Ishte, pra, i njëjti fund, gjithmonë i njëjti skenar dhe ngaherë e njëjta histori që do të tregohej për popullin: armiqtë e Partisë që ishin njëherësh edhe armiq të popullit, duhej të ekzekutoheshin sepse kishin tradhtuar edhe Partinë, edhe popullin. Dhe armiqtë, gjithmonë, si rregull, kishin bërë autokritikë sepse ai besim shtazarak që sigurisht u ishte ngulitur ca e nga ca në vetëdije nga miti që vetë kishin krijuar, nuk mund të shlyhej kurrë, pasi ata ishin edukuar barbarisht që të sakrifikoheshin për Partinë. Kështu që, qysh në ato çaste isha i bindur më në fund se nga qëndrimi i tim eti nuk varej asgjë, përkundrazi, në funksion të ligjit, Sigurimi do t’ia arrinte të grumbullonte ca fakte, sidomos nga autokritika dhe kjo pastaj do të ishte e gjitha; sepse leninizmi kishte shpikur autokritikën, e cila nuk bëhej në funksion të vetvetes, por në funksion të mëkateve që komunisti kishte bërë ndaj Partisë, ndaj porosive të saj dhe më së fundi ndaj doktrinës që ishte feja e tyre socio-politike. Njëlloj si rrëfimi, por me një ndryshim në sensin e mëkatit: nga Zoti dhe porositë e Krishtit, tek Partia dhe porositë e marksizëm-leninizmit sepse jeta private e çdo komunisti ishte investuar tek Partia.
Shihja nga lart lumin e Fanit që rridhte në muzgun e tetorit dhe e përshkonte të gjithë Rubikun dhe mendoja njëherësh edhe për të ardhmen time. Isha në fakt duke kundruar nga lart një luginë të bukur, të banuar nga njerëz të vuajtur që regjimi i kishte persekutuar dhe fati i shumë prej tyre kishte rrjedhur ngaherë burgjeve, madje shumë ishin vrarë edhe pa gjyq, por jeta përsëri vijonte njëlloj sikundër rridhte edhe lumi i Fanit, i cili, çuditërisht, që në ditët e para tek e shihja më dukej vërtet një lumë i trishtë, njëlloj si fati i asaj krahine. Diçka duhej të vendosja edhe për vete, sepse e dija që do të më nisnin privacionet. Isha i mbushur plot me urrejtje për një regjim barbar që më kishte dhunuar lirinë, por kjo nuk mjaftonte më tani. Ndoshta, dyshimi në fillim dhe urrejtja ndaj regjimit të Tiranës më pas, më kishin shtyrë që të thellohesha për të studiuar kundër komunizmit, por tani kjo shihej se ishte vetëm një luks, thjesht një kohë e shkuar, e mbyllur, sepse unë vërtet kisha qenë kundër regjimit, por në të vërtet asnjëherë nuk isha luftuar prej tij; përkundrazi, kisha qenë gjithmonë i përkrahur nga regjimi. Prandaj, pozicioni im kishte qenë komod sepse e kisha sharë dhe stigmatizuar regjimin banal të Tiranës, por asnjëherë nuk e kisha ndjerë goditjen e dorës së tij të hekurt. Veçse, befas, tani gjithçka kishte ndryshuar dhe prandaj mua do më duhej të mendoja seriozisht për të ardhmen time, e cila do të vijonte ose në burg ose në internim. “E njëjta gjë”, thashë me vete dikur, sepse e kuptoja që nuk kisha më asnjë shpresë. Isha thjesht një i humbur; “sola spese victis nulam sperare salutem”, kujtova një shprehje latine të përdorur nga Cezari dhe vijova të mendoja gjatë, deri në të gdhirë, vazhdimisht për të ardhmen time të burgut, për sjelljen time dhe për filozofinë që do të ndiqja.
“Duhet të qëndroj, - thashë dikur - e të pres vdekjen e Enver Hoxhës, sepse ai është në postinfarkt”. Për herë të parë e mendova atë vdekje si të vetmin favor që prisja nga një jetë me privacione të mëdha. Ka qenë pikërisht kjo ditë e natë bashkë, kur pasi e vendosa pikën e shpresës tek vdekja e Enver Hoxhës, i cili e dija se kishte kaluar një infarkt të rëndë të miokardit, mora vendimin për ta pranuar burgun si diçka normale të jetës dhe si një pikë tranzicioni që duhej të mbaronte shpejt, përderisa vdekja e diktatorit ishte shumë pranë. Edhe tani e kujtoj se si u qetësova dhe mendova i sigurt pastaj, se për të ruajtur të ardhmen duhej të ruaja moralin tim, kodin tim të brendshëm për të rezistuar e për të pritur brenda kësaj rezistence.
“Pritja është gjithmonë absurde nëse ti nuk je konkret dhe i sigurt për atë që pret”, e kisha bërë zakon të thosha shpesh këtë gjatë viteve të fundit, por megjithatë mua po më dukej se isha konkret dhe i sigurt, ngaqë e dija që vdekja e diktatorit nuk do ta lejonte më regjimin të vijonte në një rrugë aq kriminale. Do të ndodhte ndryshimi dhe natyrshëm që unë, i veshur ushtar në ato çaste, isha kapur pas një besimi, i cili gjithsesi nuk ishte shtazarak. “Por megjithatë duhet t’i ruhem dobësisë time.”, - thashë më në fund para se të ngrihesha nga stoli ku isha ulur, gjithë duke artikuluar, pastaj, shprehjen time më të preferuar të asaj kohe, që kishte mbetur në mendje e më qëndronte e gjallë ngaherë, shprehjen e famshme të Niçes: “Po qe se jeta është një luftë për ekzistencë në të cilën mbijetojnë më të fortët, forca mbetet të jetë virtyti definitiv dhe dobësia i vetmi faj”.
E nesërmja ishte një e diel që gdhiu me një mëngjes disi më të ftohtë nga ai i një dite më parë, por gjithë mjegull. Rubiku qe i zhytur i tëri në mjegullën e dendur mëngjesore, ndërsa unë ecja nëpër rrugën e vetme të tij për të mbërritur në restorantin e vetëm të qytetit. Më duhej të haja mëngjes dhe restoranti ishte mu rrëzë urës së Fanit, ndoshta aty ku ndodhet edhe sot, por unë vetëm ecja pa kuptuar fare se si, sepse këmbët sikur po më çonin vetë atje. Pashë orën dhe ajo sapo kishte kaluar nga shtatë dhe tek futesha te porta e madhe dhe e hapur e restorantit, u kujtova se gjithë natën e kisha kaluar pa vënë gjumë në sy, aty në atë lulishte të vogël ku isha ulur që nga ora gjashtë e darkës së kaluar, në një vend disi të fshehur që ngjante shumë me vetminë që të imponon provinca. Ishte, në fakt, kontakti i parë publik pas asaj që realisht do të quhej ndryshim gjendjeje dhe që do të vijonte të formonte hullinë e re në një jetë të ndryshuar dhe e gjitha enigmë. Restoranti ishte thuajse bosh sepse aty brenda gjeta vetëm nja dy shoferë me sy të përgjumur që po hanin mëngjes, pasi kishin kaluar natën nëpër kabinat e kamionëve të tyre e tani, siç duket, do të vijonin rrugën për në jug. Psherëtiva teksa po ulesha në një tavolinë pranë dritares që shihte nga rruga dhe prita të vinte kamerieri. Në atë restorant me njihte gjithë personeli, me kamerierë, baristë e kuzhinierë. Kisha nisur ta frekuentoja që më datën 2 korrik si djali i Ministrit të Tregtisë; kisha vijuar më pas ta frekuentoja si djali i ministrit të goditur dhe tani së fundi si biri i ministrit të burgosur, pra i armikut të popullit dhe i Partisë. “Mirë armik i Partisë, - thashë me vete, ndërsa po kuptoja drojën e kamerierit që të afrohej, - por populli ç’hyn këtu?”. Dhe sa e sa herë e kisha menduar këtë ndarje gjatë dhjetë vjetëve të fundit, por në të vërtetë ai togfjalësh ishte substanca e terrorit, domethënë e frikës së përgjithshme dhe kjo pa dyshim që kishte prekur ndërkaq edhe kamerierin në lidhje me mua, sepse ai dukej se po vononte me kast. Kishte parë ca pak çaste nga unë pastaj kishte ulur kokën e nuk shihte më sepse kuptohej se nuk dinte çfarë të bënte, madje më dukej disi i tronditur e prandaj unë u ndieva vetiu i bindur, ndërkaq, se ai nuk do të vinte të merrte porosinë. “Nuk duhet të qëndroj më”, thashë pas pak me vete ngaqë e ndieja sak se kisha nisur të jetoja në një tjetër botë, madje edhe më shumë se kaq, sepse tani isha i infektuar me kolerë dhe të gjithë do të më largoheshin. Nuk di përse duhej të ndihesha keq kur vetë e kisha ditur se kjo gjendje e të infektuarëve me kolerë kishte vite tani që ndodhte në Shqipëri, dekada mund të thuash, por tek njerëzit ishte ngulitur ca e nga ca, gjersa ishte bërë ndërkohë fenomen pushtues. Por, gjithsesi e reja këtu qëndronte tek fakti se ndërkohë i infektuari isha unë e jo ndokush tjetër, prandaj më takonte mua direkt të ndieja tani ftohtësinë e njerëzve dhe izolimin total të tyre.
U ngrita nga vendi pa rënë në sy, për të treguar se më duhej të kryeja me ngut diçka e prandaj po largohesha shpejt nga lokali, pra, se isha i zënë dhe jo se po ndieja ftohtësinë e personelit. Nuk i fola askujt, ndonëse e njihja edhe banakieren që sapo kishte ardhur. Por kur dola jashtë, për herë të parë u kujtova që gjendja e re s’ishte shumë e lehtë për t’u përballuar. Gjatë gjithë natës kisha menduar për burgun e ai ndoshta do të vononte, kurse jeta mes njerëzve do të ishte ajo që përjetova në ato pak minuta në restorantin e Rubikut. Megjithatë, isha më i qetë se dymbëdhjetë orë më parë, shumë më i qetë, por e ndieja sakaq se isha i dëshiruar për vetmi, prandaj duke e ditur se reparti ende ishte duke bërë zgjimin, mora djathas rrugës dhe nisa të ngjitesha në kodrën përbri qytetit. E njihja mirë vendin, por as vetë s’e kuptova përse pikërisht mora nga kisha, e cila atëherë nuk shërbente më si kishë, paçka se që të gjithë e quanin gjithmonë kishë. Përbri saj ishte një manastir thuajse i shkatërruar, që sikur të shtynte të mendoje se diçka e madhe ishte rrënuar në këtë vend dhe se të gjithëve na priste shkatërrimi. Por ndoshta, kjo mund të kishte qenë edhe efekt i gjendjes së re emocionale ku kisha hyrë. Në fund të fundit kristianizmi gjithmonë ka qenë i lidhur me pesimizmin, e ky nuk mund të përjashtohej që të më kishte kapluar edhe mua ndërkaq.
E kalova pas pak kishën dhe vijova të ngjitem edhe më. Shihja manastirin dhe mendoja vetminë që do të nisja të jetoja. Në të vërtetë isha shumë i ri që ta mendoja vetminë time si gjetje, prandaj sigurisht që po e mendoja me një farë droje dhe krejt e krejt si diçka të përjetuar nga librat, nga letërsia në fillim dhe nga filozofia më pas, sepse në të vërtetë gjatë gjithë rinisë time isha i hedhur, aktiv, me shumë miq e shokë, me humor, me batuta, por ja, tani, befas sikur ishte mbyllur gjithçka. E pra, më duhej të ndërroja tip. Jeta në Institutin e Historisë sikur më kishte bërë mirë, por siç e treguan ngjarjet e mëvonshme nuk kishte qenë e mjaftueshme.
Po ngjitesha akoma drejt malit dhe pasi qëndrova për të kundruar lumin, pashë sërish manastirin e rrënuar. O solitudo sola beatitudo, thashë me vete latinisht, dhe vërtet m’u duk ndërkaq në ato çaste, se sapo kisha nisur të hyja në udhën e gjatë e të heshtur të murgut, ngaqë me të drejtë shihja me një mendje të qartë se kudo që do të gjendesha këtej e tutje, si në burg, ashtu edhe në internim, madje edhe jashtë tyre, kudo që të isha, vetmia do të më rrethonte si përjetim, për t’iu shmangur gjithmonë fjalës dhe komunikimit me të tjerët.
Pasi eca edhe ca gjeta një vend të paqëm si kreshtë që e shihte të gjithë zonën, e cila shtrihej poshtë disi e thyer, por e veçantë. Mendova sërish se isha pa gjumë, por nuk më shqetësonte fare ky fakt, përkundrazi, mendja punonte shumë shpejt dhe gjithmonë tërhiqej mbrapa duke u kredhur në kujtime, ashtu, ca e nga ca e në trajta paksa të shkëputura që ndalonin nëpër emra e ngjarje dhe që më hapnin përpara një diapazon kohor të gjatë sa një shekull, sa një shekull të gjatë që s’më kishte lodhur fare, por që pikërisht për këtë, siç duket, më cyste që ta rendisja e ta shihja nga afër duke e vëzhguar ashtu imtas, me një lupë në dorë. “Me një lupë në dorë”, thashë belbët me vete dhe befas nisa të ndihem mendërisht disi më i kthjellët sesa zakonisht, disi i ndryshuar në thelb dhe me të tjera pretendime për veten, paçka se kishte shumë pak kohë që kishte ndryshuar raporti im me shoqërinë ku bëja pjesë. Por siç duket, kjo nuk kishte shumë rëndësi për gjendjen time, sepse në fakt në ato çaste të para, ajo që ishte më e rëndësishme e që ndihej më së tepërmi, ishte rasti i ri, i gjallë e i prekshëm që në ato çaste sapo kishte nisur të hapej për të vijuar më tej: një raport i ri midis unit tim dhe vetvetes, sepse kjo pa dyshim ishte pastaj edhe arsyeja që, ashtu, pa u ndier nisa dalëngadalë të mendoj qetazi të gjithë jetën time.
Sot jam fare i sigurt se kjo po më ndodhte ngaqë po ndryshoja gjendjen në një kohë që jeta porsa kishte filluar të merrte një tjetër sens, sepse ndonëse gjithmonë e kisha pritur edhe ndërrimin e beftë të sensit që po më ndiqte jeta, prapëseprapë kurrë s’e kisha menduar se gjithçka brenda meje do të mund të transformohej në një gjendje të tillë, teksa befas kisha zënë pozicionin e të huajit në shoqërinë time. “Autsajdër”, thashë me pak zë, sepse tani po e kuptoja shumë më konkretisht romanin e Albert Kamysë që në anglisht ishte përkthyer ‘outsider’ nga frëngjishtja, ‘l’etranger’. Restoranti ma kishte dhënë provën se isha gdhirë një i huaj, prandaj si i tillë ishte e pamundur që të mund të mendoja për të ardhmen, sepse qetësia kurrë nuk mund të vijë nga mendimi i së ardhmes, sado e zymtë të mendohet ose sado shpresëdhënëse të mund të jetë, sepse në të vërtetë ne mund të njohim vetëm të kaluarën, atë që kishte ekzistuar dhe që është djegur bashkë me moshën tonë… prandaj, pra, po mendoja vetëm të shkuarën gjatë atyre çasteve që sikur futeshin e futeshin nëpër thellat e kohës, a thua se zhyteshin ashtu në shtresat e nëntokës, gjithë po me një shpejtësi të habitshme e gjithë po duke kujtuar pa ndalur ngjarje, shokë, dashuritë, fëmijërinë, ëndërrat dhe gjithmonë, si një gur që nuk mund ta treste harresa, më dilte përpara jokonformizmi im i përçdoçastshëm, në çdo gjë. Xhon Kenedi, pastaj, kishte thënë në një fjalim se: “konformizmi është gardiani i lirisë dhe armiku i zhvillimit”… eh sa herë e kisha thënë nëpër mendje këtë shprehje prej dhjetë vjetësh! Prandaj s’kishte se si të mos e thosha të plotë edhe në ato çaste, i bindur ndërkohë se e kisha provuar këtë, e kisha përjetuar gjithë duke adhuruar disidentët e Lindjes, të cilët në të vërtetë ishin e jetonin tamam si në Anglinë e shekullit të XVIII e të XIX; ata, pra, jokonformistët dhe vetë jokonformizmin që po lulëzonte nëpër Lindje në të gjitha format e shekullit të njëzetë, ashtu siç i kisha parë dhe mbrojtur nëpër rrethet e mia gjithë duke i cituar, sidomos Solzhenicinin me romanin e tij “Pavijoni kanceroz”. Pikërisht për këtë, sepse duke jetuar në një vend të egër lindor, patjetër që do të më kërkohej që të isha konformist, madje më tepër, shumë më tepër, sepse unë vetë e pashë më pas se si donin të më poshtëronin, ngaqë konformizmi shqiptar i gjysmës së dytë të shekullit që kaloi, ishte i gjithi poshtërim dhe një fyerje e pandërprerë.
Gjeta një vend me bar dhe u ula. Poshtë meje ishte kisha që më ngrihej si kështjellë e bardhë, e ndërtuar me kast mbi një shkëmb të madh, e poshtë saj lumi; pastaj një tym që shpërhapej nga oxhaku i rafinerisë së bakrit, mu buzë lumit, që dukej se po zëvendësonte mjegullën që tani kishte ca pak kohë që ishte zhdukur. Ndoshta ishte pikërisht ajo kishë, e qetë, gjysmë e rrënuar dhe e kthyer në repart ushtarak tashmë që po më ngulte në mendje idenë e një rrënimi tërësor, dhe jo gjendja ime, ose ndoshta të dyja bashkë, pasi ishin bashkuar me njëra- tjetrën nga e njëjta shtysë që dukej se po vinte nga shekujt për të jehuar në atë luginë. Dhe ja, kundroja nga lart dhe pa ndërprerje manastirin e vjetër dhe s’di pse kujtohesha edhe për burgun që po më priste, pastaj prapë manastirin dhe vetminë që po e ndillja si të ardhme. Jo më larg se një muaj më parë isha futur vetë në atë manastir për të ndenjur aty brenda tij për tri orë rresht. Tek kisha ndier erën e mykut dhe të vjetërsisë, nuk kisha bezdi, por gjithnjë e më tepër ndieja një si tërheqje që donte të më mbante brenda, aty nëpër shekujt e kaluar, të cilët po më dukeshin si tepër të prajshëm e më njerëzorë brenda asaj ngrehine të shenjtë që po rrënohej nën peshën e kohës, e cila donte ta braktiste me përdhunë. Prandaj, pikërisht në atë gjendje, kisha nxjerrë një letër për të shkruar një copëz poetike… ndodhinë e një njeriu që, pasi kishte hyrë në atë manastir, i dehur nga era e mykut dhe e vjetërsisë, por edhe i pushtuar tërësisht nga ndiesia e rrënimit, nuk kishte pranuar më të dilte prej andej, derisa kishte vdekur mu aty brenda, tamam si një murg modern që nuk pranonte kohën ku jetonte e donte që nëpërmjet një manastiri shekullor që po rrënohej të shkonte në qiell...
Por po e ndieja, ndërkohë, se isha ndarë më në fund nga gjithçka që ndërtonte atë shoqëri të shtypur, e cila më kishte përkitur edhe mua, një gjë e trishtë që nuk më kishte mjaftuar kurrë as për vete, por që e dija se nuk mund ta ndryshoja. Kishte qenë krejt e pamundur që të ndryshoja vetë rrjedhën e jetës time, kurse tani, i ndarë përfundimisht nga njerëzit e mi të afërt, po i hyja jetës vetmitare të murgut, me një vendim që kisha marrë mu aty mbi kishën e famshme të Rubikut, se duhej t’i rezistoja të keqes dhe të prisja vdekjen e diktatorit. “Po sistemi”, thashë dikur nëpër dhëmbë, dhe menjëherë sikur ndieva një ngërç të brendshëm, pasi këtu ngecte optimizmi i ndryshimit të shpejtë, por gjithsesi koha do ta sillte ndryshimin e vet, të paktën sa për të hedhur në letër kujtimet e tua, pastaj edhe bota, edhe zhvillimi në përgjithësi duhej të vinte në shoqërinë ku unë jetoja... dhe duke e pritur si një autsaidër ose si një murg që për këtë rast, vokacionin e tij e ka vetëm te liria. Në të vërtetë nuk po ndieja keqardhje për shkëputjen që po bëja nga shoqëria ku isha rritur dhe ku doja të jetoja sepse e dija që ndërkohë isha ndarë me forcë nga agresori dhe po rrekesha që të gjeja prehje në lirinë time individuale, por duke pritur dhe jashtë, krejtësisht jashtë të keqes që kishte pllakosur vendin tim, si një autsaidër i vërtetë.
Ishte e diel, por unë nuk mund të mendoja për këtë sepse kisha nisur të mendoja kronologjikisht të kaluarën time, qyshse e mbaja mend, me njerëz e personazhe, me miq e armiq, të gjitha si të futura me radhë, në një si shtjellë tek vinin bashkë e njëherësh, dhe tek holloheshin mandej në atë sirtar të mendjes gjithë duke zënë kohën e vet, secilin kujtim me radhë dhe një e nga një, mu aty nga një lartësi lugine e sipër një kishe. Dhe kujtoja e kujtoja gjithçka, ashtu sikundër e mbaja mend dhe siç kishte ndodhur në të vërtetë, që nga fëmijëria e këndej, deri në këto ditë të trishta që më kishin ndryshuar gjendjen dhe rrjedhën e jetës, por që po më fusnin në të vërtetë në rrugën e sigurt të vetmisë.
Pas nja katër orësh, ashtu si i mpirë, zbrita poshtë në Rubik e bleva diçka për të pirë, nja dy birra e ushqim të thatë, për t’u ngjitur sërish lart e për të vijuar kujtimet e mia të ngjeshura, që më vinin shumë qartë në mendje, tamam si një film me ngjyra, madje edhe më zërin e njerëzve që kisha njohur, të të afërmve, miqve e shokëve, bashkë me dashuritë që kisha kaluar. Në të vërtetë, për njëzetë e katër orë rresht, kisha nisur të shkruaja me mendje romanin e jetës time.