Mrekullia që i mori nëntokës 115 jetë
Mund të konsiderohet pa frikë si një mrekulli Pashkësh shpëtimi i minatorëve kinezë, të cilët ndodheshin në kurth në një minierë thuajse të pashpresë. Dje ata janë nxjerrë të gjithë të gjallë, pasi kanë qëndruar në errësirë për 1 javë në një minierë qymyri të përmbytur. Disa prej minatorëve të uritur kanë ngrënë edhe pluhur për të mbajtur veten gjallë. Të shpëtuarit janë mbështjellë menjëherë me batanije dhe janë dërguar në spital. Ky ka qenë një lajm i papritur për të gjithë, duke qenë se pak ditë më parë autoritetet e konsideruan situatën në minierë shumë të pashpresë. Skena e shpëtimit dhe daljes në dritë të minatorëve është transmetuar drejtpërsëdrejti nga televizioni kinez dhe mund të thuhet se kanë qenë çaste mjaft prekëse, me lot dhe përqafime të ngrohta njerëzore. Gjithsej bëhet fjalë për 115 minatorë të shpëtuar nga një mrekulli. Ndërkaq, nën tokë mbeten ende 38 minatorë të tjerë, të cilët ndodheshin në një tjetër sektor në momentin kur u përmbyt galeria. E gjithë historia e shpëtimit të tyre në fakt i ngjan një përralle me shumë vuajtje e mundim, por me shpresa dhe më në fund me një fund të lumtur. Të entuziazmuar nga kjo mrekulli, të afërmit e minatorëve që vazhdojnë të jenë nën tokë shpresojnë për një tjetër mrekulli. Minatorët që ishin në gjendje më të mirë shëndetësore kur kanë dalë nga thellësitë kanë përshkruar me tmerr situatën në nëntokë. Minatorët e shpëtuar kanë qenë të uritur, të traumatizuar dhe tërësisht të dehidratuar me shenja jete në shuarje e sipër. Mes tyre 26 ishin në gjendje shumë të rëndë, por ka pasur edhe nga ata që kanë mundur të ecin vetë dhe të shkojnë me këmbët e tyre në spital. “Sipas një drejtuesi të një grupi shpëtimi, ky rast mund të quhet me plot gojën një mrekulli e vërtetë dhe mbi të gjitha një nga sukseset më të mëdha të skuadrave të shpëtimit në gjithë historinë botërore të tragjedive të minierave. Për sa u përket të tjerëve që vazhdojnë të mbeten nën tokë, situata nuk është e mirë, por skuadrat e shpëtimit nuk e kanë hequr shpresën se edhe në rastin e tyre gjërat do të funksionojnë dhe ata do të shpëtohen para se të jetë vonë.
Operacioni i shpëtimit ka filluar që të japë shenjat e para të suksesit mëngjesin e së hënës, kur një nga një kanë dalë nga nëntoka minatorët e mbetur poshtë. Ndërkohë, për sa u përket shkaqeve të këtij aksidenti, thuhet se është tërësisht faji i mirëmbajtjes së dobët së minierës. Në përgjithësi në Kinë, një vend me shumë miniera, ka gjithmonë raste problematike dhe tragjike për sa u takon aksidenteve dhe shembjeve në nivele të thella të minierave. Rasti i fundit është gjithashtu pasojë e neglizhencës së përgjithshme dhe lënies pas dore të minierave që ka dhjetëra vite që shfrytëzohen pa iu nënshtruar ligjeve elementare të mirëmbajtjes. Kjo është arsyeja që minierat e qymyrit në Kinë janë vendet më vdekjeprurëse në botë. çdo vit, si pasojë e rrëshqitjeve të dheut apo shembjes së galerive humbasin jetën mijëra vetë në Kinë. Gjatë dhjetëvjeçarit që shkoi, viti që shënoi edhe numrin më të madh të viktimave ishte 2002 me 7000 viktima, të gjitha të shkaktuara në nëntokën kineze.
#