E Diel, 1 Nëntor 2026

Raportimi në Kuvend, prokuroria përgatitet për më të keqen

Në analizën e akuzës, të gjitha shkeljet e ekzekutivit gjatë kontrolleve në prokurori

Organi i Prokurorisë së Përgjithshme do të raportojë në Kuvend në lidhje me problematikat dhe arritjet e organit të akuzës në vitin 2009 dhe sipas të gjitha gjasave, mazhoranca aktuale do të lëshojë mbi të mori kritikash. Megjithatë, zyra e akuzës qendrore e ka marrë paralajmërimin e lëshuar nga deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj dhe menjëherë ka filluar punën për përgatitjen për “më të keqen”. Në raport do të përfshihen të gjitha inspektimet që ka bërë Ministria e Drejtësisë në prokuroritë e rretheve dhe do të “nënvizohen” shkeljet e ekzekutivit. Pikërisht, deputeti Alibeaj, gjatë kohës që mbante postin e ministrit të Drejtësisë, urdhëroi Drejtorinë e Inspektimit për një kontroll të imtësishëm në Prokurorinë e Tiranës dhe Durrësit, ku vërejti disa shkelje që u konsideruan të rënda në lidhje me afatet e hetimit. Me gjithë propozimet e ministrit, Kryeprokurorja Ina Rama nuk ndërmori asnjë masë ndëshkuese ndaj prokurorëve që ministria pretendonte se kanë shkelje, duke e kaluar raportin në Këshillin e Prokurorisë. Nga ana tjetër, Ina Rama urdhëroi që të kryhej një kontroll në Prokurorinë e Tiranës për ta krahasuar me shkeljet e Ministrisë së Drejtësisë. Sipas të dhënave nga akuza qendrore, të gjitha këto fakte janë në raportin e akuzës qendrore dhe do të paraqiten në Komisionin e Ligjeve. Parashikohet që raporti i prokurorisë të mbërrijë në fund të kësaj jave në Kuvend dhe brenda harkut kohor të dy javëve Prokurorja e Përgjithshme të paraqitet për të raportuar para deputetëve në Komisionin e Ligjeve. Kryeprokurorja pritet të shoqërohet në Kuvend nga drejtorët kryesorë në akuzën qendrore.

Ekzekutivi, kontroll në prokurori

Prokuroria e Përgjithshme paralajmëron se në raport, krahas problematikës së vitit 2009, do të vendosë edhe çështje që kanë qenë objekt kontrolli nga ekzekutivi. Sipas të dhënave në akuzën qendrore, Ministria e Drejtësisë inspektoi në Prokurorinë e Tiranës çështjet penale që nga themeli, duke ndërhytë dukshëm në sistemin e akuzës, madje ministria ka rekomanduar penalizime për disa prokurorë. Mësohet se Ministria e Drejtësisë ka inspektuar në Prokurorinë e Tiranës dosje për të cilat nuk ka pasur kompetencë ligjore. Dy raportet, ai i ministrisë dhe i akuzës, janë verifikuar nga stafi i ngushtë i Kryeprokurores dhe shkeljet e konstatuara u dërguan në Këshillin e Prokurorisë së Përgjithshme. Këshilli ka miratuar raportin e përgatitur nga akuza qendrore, duke “rrëzuar” pretendimet e ministrisë, për të cilin doli në përfundim se ka qenë jashtë kompetencave që i njeh ligji për inspektimin e dosjeve penale. Sipas të dhënave nga Këshilli i Prokurorisë, ministria kishte gjetur rreth 280 dosje me shkelje në akuzën e kryeqytetit, ndërsa raporti i prokurorisë i kishte përgjysmuar këto dosje, pra rreth 180 çështje. Sipas të dhënave, raporti është përgatitur pas një kontrolli të 5000 çështjeve, ndërsa përqindja e gabimeve është shumë e ulët, duke e krahasuar me gabimet e gjyqtarëve. Prokuroria pritet të mbrohet me të gjitha mjetet, duke u parashtruar deputetëve jo vetëm fakte nga respektimi i afateve të hetimit, por edhe parregullsi.

Dosjet e KLSH-së dhe ILDKP-së

Krahas raportimit për afatet hetimore dhe çështje të tjera që lindin kryesisht nga inspektimet e Ministrisë së Drejtësisë në sistem, akuza qendrore duhet të bindë Komisionin e Ligjeve se akuzat e lëshuara nga KLSH-ja dhe nga ILDKP-ja për mbylljen e kallëzimeve të tyre ka qenë e drejtë. Në raport do të përfshihen edhe marrëdhëniet e prokurorisë me këto institucione, ku parimisht ka një vlerësim maksimal, por ka probleme që duhen diskutuar. Kështu, nga vlerësimi i këtyre pretendimeve hartuesit e raportit të akuzës kanë mbledhur fakte nga prokuroritë e rretheve, nga ku ka rezultuar se dosjet e KLSH-së kanë parregullsi ligjore. Ato hartohen nga ekonomistë dhe jo nga juristë. Gjithashtu, kallëzimet e KLSH-së janë në formën e mendimeve dhe jo të krahasimeve me VKM-të apo me ligje. Burime nga akuza qendrore deklarojnë se në asnjë rast gjykata nuk ka urdhëruar prokurorinë për të rifilluar hetimet. “Rastet e pretenduara për të cilat ka dyshime për pushimet e dosjeve nga ana e prokurorisë janë dërguar në gjykatë. Të gjitha ankimimet e KLSH-së për pushimin e kallëzimeve nga prokuroria janë rrëzuar nga gjykata”, deklaroi pak ditë më parë akuza, duke saktësuar edhe pretendimet e ILDKP-së. Sipas saj, ky institucion ka pretenduar për mbylljen e padrejtë të dosjeve. Më pas, ILDKP-ja është ankuar në gjykatë dhe në të gjitha rastet e pretenduara, gjykata i ka cilësuar veprimet e prokurorisë si të ligjshme.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›